HomeUdhëtime

10 vendet më të bukura në Shqipëri për të realizuar fotot e martesës

Martesa është një nga ditët më speciale të jetës, plot me momente magjike që do të donit t’i kujtonit përgjithmonë. Ndaj dhe fotot e dasmës bëhen shumë të çmuara për çiftet që lidhin kurorë. Aq të çmuara saqë sot çiftet shqiptare i kushtojnë një ditë të plotë vetëm setit fotografik, duke shkuar në vende të bukura për të dalë sa më këndshëm.

Sigurisht që vendet më të frekuentuara nga të gjitha çiftet, veçanërisht ato në Tiranë, janë plazhet, perëndimet buzë detit, Kopshti Botanik, apo Presidenca. Për të bërë fotot klasike të nuseve duke u bërë gati, apo dhëndrit duke pritur nusen, fotografët shfrytëzojnë ambientet e hoteleve luksoze në Tiranë, të cilët madje kërkojnë një pagesë prej 200 eurosh maksimumi.

Më poshtë do të mund të njiheni me 10 super ide ku të bëni fotot në Shqipëri për të cilat nuk do t’ju duhet as të paguani.

Gjirokastër

Si një qytet i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005, Gjirokastra është vendi ideal për fotot e dasmës. Falë arkitekturës së veçantë të shtëpive me tjegulla, kalasë dhe lagjeve tradicionale, qyteti i Gjirokastrës iu ofron pamjen më piktoreske për fotot tuaja të martesës.

Shëngjergj ose Shëngjin

Jo shumë larg Tiranës (një orë e 15 minuta), në fshatrat përtej Dajtit që kufizojnë në lindje kryeqytetin me Elbasanin, do të gjeni disa vende të mrekullueshme për të bërë fotot e dasmës. Shëngjergji dhe Shëngjini janë dy destinacione të veçanta për natyrën dhe historinë.

Shëngjergji është i rrethuar vetëm me male, ku mund të shihni një panoramë fantastike të të gjithë luginës dhe mund të bëni fotot më të bukura nëse e doni natyrën dhe peizazhet e rralla dhe të larmishme.

Ndërsa Shëngjini njihet për ujëvarën e tij përrallore, ku mund të realizosh edhe klipin e dasmës nën sfondin e rrëkeve të ujit që do të kthehen në melodinë tuaj të preferuar. Vetëm mos harroni, nusja duhet të marrë atletet me vete.

Shirokë

Fshati që ndodhet në qytetin e Shkodrës, po kthehet një ndër destinacionet e preferuar të çifteve, veçanërisht gjatë qershorit kur lulëzojnë fushat me lulen livando, që do t’ju bëjnë të dukeni sikur jeni në fushat e Provancës në Francë.  Vendndodhja është në veri të Shkodrës, rrugës kur shkon për në Theth apo Razem, por duhet vizituar në qershor deri në mes të korrikut, pasi lulet korren.

Plazhi i Kallmit

I njohur ndryshe si “plazhi i virgjër”, plazhi i Kallmit është i rrethuar nga kodrina dhe gjelbërimi. Kallmi ndodhet vetëm 8 km larg qendrës së Durrësit, dhe plazhi i tij me guralecë dhe ujë të pastër, do t’i bëjë kaq të veçanta fotot tuaja të perëndimit, ndryshe nga plazhet e tjera ranore që mund të gjenden në Durrës dhe ua bëjnë fustanet pis.

Ksamili

Plazhi në Ksamil është një ndër plazhet më të veçantë me rërën e bardhë dhe i rrethuar anembanë me gjelbërim dhe ishuj të vegjël, që të bëjnë të duket sikur je në Maldive.  Nusja me një fustan të thjeshtë stil Bohemian dhe dhëndri me një kostum sportiv, do të realizonin fotot perfekte të dasmës në këtë vend përrallor.

Kalaja e Lëkursit

Kalaja ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës mbi majën e një kodre të lartë që ngrihet sipër qytetit të Sarandës. Ka një pozicion të veçantë strategjik nga ku mund të shikoni gjithë qytetin e Sarandës dhe rrugën që shkon në Butrint, gjithashtu mund të shfrytëzoni për fotot dhe videot për një panoramë të ishujve të Ksamilit.

Laguna e Patokut

Është një nga bukuritë natyrore më interesante të bregut të Adriatikut, e ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug. Ne ju sugjerojmë të shfrytëzoni ndërtesat prej druri për fotot, që të japin idenë e atyre të ndërtuara në ishujt Maldive.

Ura në Përmet

Përmeti përshkohet nga juglindja në veriperëndim prej lumit Vjosa, një nga lumenjtë më të mëdhenj të vendit tonë. Ai njihet për urat e vjetra otomane si Ura e Kadiut, e njohur për arkitekturën e vjetër, që lidh dy kahet e lumit, do të simbolizojë bashkimin në fotot tuaja të martesës.

Kalaja e Ali Pashës

Si një monument i trashëgimisë kulturore, e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparoit, Kalaja e Porto Palermos, është më e vjetër se vetë Ali Pasha. Arkitektura e saj e veçantë dhe vetë historiku, do t’i japë një histori të veçantë fotove tuaja të dasmës. Ajo është restauruar nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij dhe mund të bëhet edhe një nga sarajet tuaja, të paktën në foto.

Rrugicat pranë Kalasë së Beratit

Qyteti i Beratit, vetëm 122 kilometra nga Tirana na dhuron një nga destinacionet më të veçanta për fotot e martesës. Rrugicat pranë kalasë kanë një arkitekturë të veçantë dhe tradicionale. Ju do të tërhiqeni nga intimiteti që të përcjellin këto rrugica që duket sikur janë të fshehura dhe do t’i rrëmbeni partneres/partnerit një puthje në fshehtësi, por sigurisht nën fokusin e kamerës.


TË NGJASHME