HomePolitikë

100- vjetori i Kongresit të Lushnjes, deputetja e PS: Të nderohet dhe kujtohet me datë zyrtare nga shteti

Deputetja e PS, Tatjana Nurçe propozon që në këtë 100 vjetor, Kongresi i Lushnjes të nderohet me një datë zyrtare nga shteti shqiptar.

Nurçe thotë se Kongresi i Lushnjes, është ai i cili bën bashkë gjithë shqiptarët pavarësisht ndasive politike. Ajo thotë se ëndrra që është dhe sot “Për një Shqipëri si gjithë Europa” ka filluar pikërisht me Kongresin e Lushnjës.

Një propozim të tillë e ka bërë më parë dhe deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi.

DEKLARATA E PLOTË E TATJANA NURÇES:

Koha e deshi, që unë të jem deputetja e Lushnjës, në një përvjetor jubile të 100 vjetorit të ngjarjes historike më të rëndësishme të shtetit dhe komb-formimit të shqiptarëve; Kongresit të Lushnjës.

Në kohët më të vështira, kur vendi ynë ishte në dyshim ekzistence, elita e shqiptarëve i tregoi botës së qytetëruar se këtu, në këto troje, jeton një komb i lashtë, i aftë të vetëqeverisej. Të zgjedhurit shqiptarë, patën ndriçimin e duhur që përmes Kongresit të Lushnjës, në këtë qytet të vogël e bujar, të deklaronin organizimin më të rëndësishëm politik që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Ambasadorëve në 1913, dhe të hedhë bazat e shtetit modern shqiptar.

100 vite më parë, shqiptarët arritën të formonin një qeveri mbi palët nën drejtimin e Sulejman Delvinës, të kontrollonin territorin, e të organizonin zgjedhje të pranuara nga të gjithë. Ndaj sot, përulemi me nder ndaj sakrificës të gjithë atyre shqiptarëve që në kohën më të vështirë vunë interesat e vendit para atyre vetjake e krahinore.

Të nderuar miq,

Më lejoni të shpreh nderimet e mëdha për qytetin e Lushnjës. Qyteti im u bë kryeqyteti i parë shqiptarëve të bashkuar, dhe kjo nuk ishte rastësore. Si atëherë, Lushnja mbeti bujare. Më mirëpriti edhe mua dhe vëllezërit e Çamërisë vite më vonë, e gjithnjë ka pasur derën e hapur. Sot, është një ditë krenarie për të gjithë lushnjarët. Për mua është privilegj të jem përfaqësuese e tyre në Parlamentin e Shqipërisë.

Vitet më pas nuk kanë qenë të lehta për shqiptarët. Vitet e parlamentarizmit u zëvendësuan nga Republika e Monarkia. Lufta vrau dhe varfëroi shqiptarët. Më pas diktatura mbërtheu dhe izoloi shqiptarët.

Në mund të debatojmë pa fund për çështje të ndryshme. Dikush ka mendim të ndryshëm për vitet që pasuan.

Por si rrallë herë, shqiptarët bashkohen rreth Kongresit të Lushnjës. Nuk ka ngjarje më madhe që na bën të gjithë bashkë.

Ndaj, e shoh të arsyeshme, që në këtë jubile një shekullor, Kongresi i Lushnjës të nderohet e kujtohet zyrtarisht me një datë nga Shteti Shqiptar.

Mësimet e këtij Kongresi janë të vlefshme ende sot. Si atëherë, edhe tani, sfidat janë të ngjashme për ne shqiptarët. Duhet të jemi bashkë për të realizuar ëndrrën “Për një Shqipëri si gjithë Europa”. Kjo ëndërr nisi me patriotët në Kongresin e Lushnjës, ndaj na takon ne sot, të ngrihemi përtej interesave vetjake, e të punojmë fort që Shqipëria të jetë sa më shpejt pjesë e familjes së bashkuar europiane. Nuk ka mesazh më aktual sot sesa bashkimi.

Në përfundim, shpreh bindjen se ky 100 vjetor i Kongresit të Lushnjës do na shërbejë të gjithëve.

Nderim për të gjithë elitën shqiptare të Kongresit të Lushnjës.

Nderim të gjithë qytetarëve lushnjarë.


TË NGJASHME