HomePolitikë

Plani i Trumpit, zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë thirrje, gjatë prezantimit të planit të tij për Lindjen e Mesme, për një zgjidhje të konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve.

Sipas planit të tij Jerusalemi do të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit. Presidenti amerikan shtoi se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë dhe premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor.

Trump theksoi se marrëveshja do të “dyfishonte” territorin nën kontrollin e palestinezëve.
Palestinezët duan pavarësinë në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Presidenti Trump së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shprehën se ky plan “mund të jetë mundësia e fundit” për palestinezët.

Kryeministri Izraelit, Netanyahu tha se është një plan i mrekullueshëm për Izraelin dhe për paqen.
Ai shprehu gatishmërinë të negociojë me palestinezët në bazë të këtij plani.

Kreu i opozitës izraelite, Benny Gantz, i cili gjithashtu pati një takim me Trump gjatë të hënës, e quajti planin “një moment historik dhe të rëndësishëm”.

Udhëheqësit palestinezë thonë se ata nuk janë ftuar në Uashington për prezantimin e “projektit të fshehtë të paqes” të presidentit Trump.

Mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës, kundër planit të paqes. Megjithatë, udhëheqësi palestinez, Mahmoud Abbas, tha se nuk do të pajtohej me ndonjë marrëveshje që nuk siguronte një zgjidhje mes dy shtetesh.

Agjencia Reuters ka publikuar disa pikaë kyçe të planit të Presidentit Trump:
* Statusi i Jerusalemit, duke përfshirë vendet historike të shenjta.
* Vendosja e kufijve me dakordësi të dyanshme.
* Arritja e marrëveshjeve të sigurisë që do të hiqte frikën e Izraelit nga sulmet e palestinezëve dhe fqinjëve armiqësorë.
* Kërkesa palestineze për pavarësi në territorin e Bregut Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor – të pushtuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967. ( Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largojë vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Më shumë se 400,000 izraelitë tani jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, me 200,000 banorë të tjerë në Jerusalemin Lindor).
* Gjetja e një zgjidhjeje për situatën e rëndë të miliona refugjatëve palestinezë.
* Marrëveshjet për të ndarë burimet natyrore, siç është uji.

Historiku i planit?
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, është autor kryesor i planit. Ai shpalli fazën e parë të planit në Bahrein gjatë muajit qershor 2019. Faza e parë e planit bënte thirrje për një fond investimi prej 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonomitë palestineze dhe vendeve arabe fqinje. Kushner ka punuar për dy vite në këtë plan, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur “marrëveshje të shekullit”


TË NGJASHME