HomeLajmi i Fundit

19 të vdekur nga protestat e dhunshme në Kili, presidenti shkarkon qeverinë

Presidenti i Kilit Sebastian Pinera ka shkarkuar të gjithë kabinetin e tij në mënyrë që të formojë një qeveri të re, e cila do të përfshijë reformat sociale të kërkuara nga protestuesit.

Të paktën 19 vetë kanë humbur jetën e qindra të tjerë janë plagosur gjatë një jave protestash, që e morën shtysën nga rritja e çmimit të biletës së metrosë, për t’u shndërruar më pas në një demonstrim masiv të pakënaqësisë me pabarazinë e thellë që ka mbërthyer njërin prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine.

Presidenti Pinera tha se i ka dëgjuar kërkesat nga rruga. “Tashmë jemi në një realitet të ri. Kili është ndryshe nga çfarë ishte një javë më parë”-ka shtuar ai. Mbi 1 milion vetë morën pjesë në një protestë të premten në kryeqytetin Santiago, ku kanë bërë thirrje për drejtësi sociale.

Fillimisht protesta nisi paqësisht por degradoi në dhumë, mbi të gjitha pas mesnate. Protestuesit i vunë zjarrin barrikadave dhe iu hodhën bomba molotov automjeteve qeveritare. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.