HomeUdhëtime

19 vendet më të bukura në Shqipëri

Natyra në Shqipëri është fenomenale, përfshin male të thepisura, lumenj, liqene dhe plazhe fantastike. Kompletohet me disa qytete antike të UNESCO-s ushqime te shijshme dhe me çmime të leverdishme

Nëse jeni gati, po ju paraqesim 20 vendet turistike që do t’iu impresionojnë:

1-Gjiri i Gramës në Dhërmi


Gjiri i Gramës ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në vështirësitë e motit. Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, në gurore të medha, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet. Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet.

2-Apolonia, ‘’Qyteti i Diellit”


Dikur këtu niste një nga rrugët më të rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen, apo Romën me Kostandinopolisin. Apollonia është një nga qëndrat më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë. Më parë në këtë zonë ishte një vendbanim Ilir, me ardhjen e kolonive qyteti mori emrin Apolloni për nder të të perëndisë Apollon. Pozicioni gjeografik i qytetit ka luajtur një rol të rëndësishëm, kështu Apollonia ishte ngritur jo shumë larg detit, komunikonte nëpërmjet lumit Vjosa , në një zonë mjaft të pasur të Ilirisë së jugut të banuar nga fiset ilirë të Taulantëve.

3-Liqeni i Pogradecit


Korani, mjelmat dhe lulet….e pastaj vargjet lasgushiane! Mjafton të përmendësh këto fjalë dhe kuptohet se fjala është për një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë, liqeni I Ohrit. Ai  është tepër i famshëm në Europë dhe Botë për nga vjetërsia, thellësia dhe specien e rrallë, peshkun koran që rritet në ujrat ngjyrë smeraldi. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri më 5 milion vjet.

4-Gadishulli i Karaburunit


Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë. Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty.

5-Gjirokastra

Gjirokastra është një  qytetet më të lashta në Shqipëri. I përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s Arsyeja kryesore pse qyteti i Gjirokastrës duhet vizituar është mundësia për të eksploruar vendet historike brenda tij. Këto përfshijnë, Pazarin e Vjetër, shtëpitë historike otomane, kishat dhe xhamitë e vjetra dhe Kalanë e Gjirokastrës. Kalaja e Gjirokastrës ia vlen të vizitohet, e përfshirë në Muzeun Kombëtar të Armatimeve, ai paraqet një pamje të shkëlqyer të armëve pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë qëndrimit tuaj në Gjirokastër, ju nuk duhet të largoheni pa provuar gatimin tradicional vendas.

6-Ujëvara e Grunasit, Theth


Një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare është dhe ujëvara e Grunasit e cila është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Ujëvara e Thethit ka si karakeristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujvarë të Europës.

7-Plazhi i Ksamilit


Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian. Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.

8-Lugina e Valbonës


Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore. Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe duke u konsideruar si mrekullia e Alpeve shqiptare.

9-Hyjnesha e Butrintit


Vështrimi ëndërrimtar, balli i qetë dhe pamja dinjitoze dëshmojnë për paraqitjen e perëndisë Apolon me krehjen tipike të flokeve. Njihet me emrin Dea e Butrintit. Zbuluar në Butrint nga arkeologu italian Ugolini në vitin 1928. Është koka prej mermeri e një burri i cili ndodhet në trupin e një gruaje. Statuja është 2,5 m e lartë, dhe është zbuluar në vitin 1928, gjatë gërmimeve arkeologjike të misionit italian në Butrint. Dëshmohet se objekti ka vlera të rralla kulturore dhe historike.

10-Shpella e piratëve


Shpella ujore ka një thellës prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.Sipas legjendës, Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të 17-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate
.

11-Kullat e Thethit


Kulla e Ngujimit ndërtuar në Theth, Dukagjin është tipike e kësaj zone. Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe që përdorej nga i gjithë fshati për ngujimin nga gjaksi. Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të medha turistike. Gjendet në jug të fshatit Theth dhe shumë pranë të lumit të Shalës.

12-Pika turistike e Dardhës


20 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi gjeografike impresionuese mbi 1300m ndodhet ky margaritar. Me kalimin e shekujve, banorët e Dardhës ndërtuan një fshat që në fillim të shekullit të 20 kishte mbi 400 shtëpi. Shtëpitë prej guri me çati me rasa janë tipari dallues i fshatit. Dhe shtëpitë shpesh janë vila dykatëshe të ndërtuara më së miri me kopshte të mrekullueshme të mbushura me lule. Dardha ofron mundësi për ecje në mal, ndonëse aktualisht njihet veçanërisht për turizmin malor dimëror. Është një nga të paktat vende në Shqipëri ku kanë mbetur pyje të larta.

13-Qyteti historik i Krujës


Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane. Kruja njihet ndryshe edhe si “qyteti i bardhë”.

14-Kalaja e Petrelës


Kjo kala ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër. Ajo ka trajtë trekëndore me dy kulla vrojtuese. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake. Sot në ambientet e saj ka shërbim restoranti. Prej andej hapet një pamje mjaft e bukur drejt luginës së Erzenit, kodrave me ullinj dhe maleve përreth.

15-Berati


Njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe është shpallur një qytet muze. Ndodhet në shpatin e malit të Tomorrit ku ngrihet kalaja. Brenda mureve të kalasë ndodhen shtëpitë e banimit dhe “Muzeu i Onufrit”. Pikturat dhe ikonat e piktorit të madh shqiptar janë të ekspozuara atje. Pjesa e vjetër e qytetit ka disa ndërtesa fetare si kisha dhe xhamia. Qyteti i Beratit përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit, kjo për faktin se Berati promovon turizmin kulturor. Berati vërtet nuk është qytet bregdetar, por ka një numër të madh monumentesh kulturore që janë pjesë e Trashëgiminë Kulturore Botërore. Ai është një qytet 2400-vjeçar si dhe është anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO).

16-Mrizi i Zanave, Fishtë


Për të provuar kuzhinën tradicionale shqiptare duhet të vizitoni restorantin Mrizi i Zanave, neë jug të Shkodrës. Të gjitha gatimet ofrohen me prodhime vendi. Mishi me salca të ndryshme është specialitet.

17-Syri i Kaltër, Sarandë


Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”. Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos.


18-Kanionet e Osumit, Skrapar

Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai gjendet në Çorovodë Janë pikërisht ujërat e tij, që me forcën e tyre gërryerrëse dhe tretëse, kanë depërtuar ashtu ngadalë, por pa ndërprerje, në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse.

19-Parku Kombëtar i Llogarasë

Parku Llogarasë gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapsinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogarasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve. Parku ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë. Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat -Llogara deri pra se të dalësh në qafën e Llogarasë.


TË NGJASHME