HomeLajmi i Fundit

33-vjeçari rrëfen ngjarjen pasi u qëllua nga 20 plumba

33-vjeçari Romarjo Alliaj, para dy ditësh ra pre e një atentati në autostradën Vlorë-Levan.

Mbi të riun u qëllua mbi 20 plumba, por  fatmirësisht Alliaj nuk pësoi lëndime prej tyre.

Ai u plagos lehtë pasi gjatë tentativës për t’iu shmangur plumbave makina e tij u përplas në një kanal.

Romarjo Alliaj ka rrëfyer për “News24”, gjithçka erdhi pas një bisede telefonike të bërë një ditë me parë me disa persona për një borxh. Ai thotë se kishte hyrë ndërmjetës tek një miku i tij për borxhin që nuk ishte kthyer dhe një ditë para atentatit i kishte marrë në telefon dhe iu kishte bërë presion për të kthyer paratë. Por jo që situata të agravonte në të tillë ngjarje.

Sipas tij, në makinën nga u qëllua ndodheshin tre persona, ndërsa me armë ka qëlluar vetëm njëri prej tyre, i cili ndodhej në sediljen e pasme. Po ashtu autorët ishin me maska ndërsa makina ishte me targa franceze pas, para nuk i kishte targat.

“S’kam besim as tek policia dhe as tek njeri fare. Ky ishte muhabet shoqëror, ishte në rrjet shoqëror. Unë me ta kam ngrënë e kam pirë. Unë i zgjidh vetë problemet e mia. Policia është deri ku i takon. Nuk kam besim fare as tek kjo që kam veshur. Edhe atë e kisha shok të ngushtë, kisha shumë besim por erdhi për të më vrarë. S’kam besim fare as tek policia, as tek askush. Janë çështje që i zgjidh vetë. Nuk më hyn fare në punë policia”, thotë Mario.