HomeLajmi i Fundit

332 kg kanabis për në Itali, arrestohet kavajsi në Milano

Është arrestuar në Milano të Italisë një 39 vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Në pranga ka përfunduar Bashkim Demrozi nga Kavaja, i cili akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka siguruar 332 kg cannabis sativa për ta dërguar në Itali.

Droga u kap në vitin 2014, ndërsa gjykata e Apelit e ka dënuar përfundimisht atë me 6 vjet e 8 muaj burg.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, bëri të mundur kapjen dhe ekstradimin nga Italia të një shtetasi shqiptar, i dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Nga ZQK Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano/Itali, i shtetasit shqiptar Bashkim Demrozi, 39 vjeç, lindur në Kavajë.

Shtetasi Bashkim Demrozi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e ka dënuar me 8 vjet burg, për veprën penale “Trafik i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Pas apelimit, Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2018, e ka dënuar përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burg.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Në vitin 2014, në qytetin e Durrësit, gjatë kontrollit të kryer nga shërbimet e Policisë, në automjetin që drejtohej nga shtetasi F. D., i cili do udhëtonte nga Durrësi në Bari, u gjetën dhe u sekuestruan 332 kg cannabis sativa.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Bashkim Demrozi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer veprime për gjetjen dhe trafikimin e lëndës narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

M.H/ GotaNews