HomeLajmi i Fundit

5 policët, rryshfet për të hequr gjobat, ja sa para mernin

Pesë punonjës të Policisë Rrugore të Tiranës janë marrë në hetim nga Prokuroria për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet nga drejtues të ndryshëm automjetesh, për të shmangur gjobat.

Një prej tyre është arrestuar, dy të tjerë janë lënë në arrest shtëpie dhe 2 të tjerë janë pezulluar detyra. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ekzekutuar pasditen e së hënës masat e sigurimit që ishin vendosur në mungesë nga Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë.

“SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për 5 punonjës policie dhe një shtetas për korrupsion”, tha dje zyrtarisht Ministria e Brendshme. Burimet thanë se është arrestuar Fiqiri Xhani, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Në “Arrest shtëpie” është lënë Afinisa M. dhe Bujar Allko. Ndërsa është vendosur pezullim i ushtrimit të detyrës për Emiliano Kaçelin dhe Florian Dimrajn.

Gjithashtu, Gjykata ka vendosur “Arrest shtëpie” edhe për Fatjon Lugën, për veprën penale “Korrupsion aktiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”. Burimet thanë se efektivët e dyshuar merrnin nga 2 deri në 3 mijë lekë të rinj, për të shmangur vendosjen e gjobave.

PROCEDIMI

Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2019, regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, në ngarkim të punonjësve të Policisë së Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Në përfundim të aplikimit të metodave speciale të hetimit janë grumbulluar prova paraprake, mbi bazën e të cilave Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur masat e sigurimit në ngarkim të shtetasve: “Arrest me burg” për punonjësin e Policisë Fiqiri Xhani, 58 vjeç;

Duke u nisur nga rrethanat familjare referuar të dhënave të gjendjes civile (fëmijë nën moshën 3 vjeç) caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest shtëpie” për punonjësen e Policisë Afinisa M., 25 vjeçe; “Arrest në shtëpi” për punonjësin e Policisë Bujar Allko, 48 vjeç; “Pezullim i ushtrimit të detyrës”, për punonjësin e Policisë Emiliano Kaçeli, 28 vjeç; “Pezullim i ushtrimit të detyrës” për punonjësin e Policisë Florian Dimraj, 38 vjeç; “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për shtetasin Fatjon Luga, 35 vjeç.

PANORAMA