HomeSport

Largimi i Donnarumma dhe afrimi Pastore, prapaskenat e merkatos së Milan

Pasi Marco Giampaolo, mori drejtimin e Milan, drejtuesit e klubit kërkojnë të bëjnë afrime për të përforcuar ekipin për sezonin e ardhshëm. Aktualisht, drejtuesit e klubit, janë në disa tavolina diskutimesh, por vonesa e UEFA, për publikimin e vendimit të sanksionit për klubin ka vendosur në ngërç të gjitha këto tratativa. Megjithatë, po punohet fort për të arritur një akord paraprak me futbollistët e përzgjedhur.

Javier Pastore, është një prej futbollistëve që pëlqehet shumë edhe nga drejtori sportiv Frederic Massara. Edhe pse po punohet për të arritur një akord me futbollistin, veç aftësive së tij, në dyshim është forma e tij fizike. Sezonet e fundit të 30-vjeçarit janë karakterizuar më shumë nga dëmtime sesa nga shkëlqime në fushën e lojës.

Për sa i përket kartonit, mesfushori vlen 10-15 milionë euro, një shifër që kuqezinjtë mund të vendosin ta investojnë në një moment të dytë dhe sidomos nëse do të “ftoheshin” pistat e tjera që ndiqen aktualisht.

Vonesa e vendimit të UEFA-s po detyron drejtuesit e Milanit që të mos prekin buxhetin për merkato. Maldini dhe Boban mund të vendosin që t’i gjejnë paratë për të afruar futbollistë duke sakrifikuar ndonjë yll të ekipit aktual. Suso, Kessié dhe Donnarumma,janë lojtarët të cilët pritet të sjellin shumën e mjaftueshme për të investuar në merkato.

Për Suso dhe Kessie, ka pasur oferta nga klube të ndryshme, kurse për portierin, për momentin është vetëm PSG që shfaq interesim. Manchester United u tërhoq nga gara, pasi u arrit akordi dhe rinovimi me de Gea. Nga ana tjetër Leonardo dhe PSG, po përgatiten për një ofertë për portierin e Milan, ndërkohë që është bërë e qartë që për të siguruar shërbimet e Donnarumma duhet të derdhen mbi 60 milionë euro.


TË NGJASHME