HomeSociale

70-vjetori i NATO-s/ Ministrat mblidhen në Washington

Ministrat e jashtëm të NATO-s mblidhen në Uashington këtë javë për të festuar 70-vjetorin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior. Presidenti Donald Trump e ka kritikuar aleancën, duke fajësuar vendet anëtare për mos-investime në mbrojtje dhe duke u mbështetur shumë tek Shtetet e Bashkuara.

Vëzhguesit do të shohin nga afër se si aleanca do të përballojë stuhitë e brendshme në këtë përvjetor. Presidenti Trump, i cili pret Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, i bëri të qarta pikëpamjet e tij për NATO-n gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, duke tronditur shumë në të dy anët e Atlantikut kur e quajti aleancën “të vjetëruar”.

Ai tha se ajo kishte humbur fokusin, ndërkohë që në mënyrë të përsëritur pretendoi se Shtetet e Bashkuara kishin mbajtur barrën më të madhe të kostos. Shumica e ekspertëve të politikës së jashtme amerikane thonë se NATO-ja është një nga aleancat më të suksesshme ushtarake në histori dhe është larg të qenurit e padobishme.

“Të gjithë kanë rënë dakord të rrisin angazhimin e tyre në nivele që kurrë nuk është menduar më parë”, u tha presidenti Trump gazetarëve gjatë një samiti të NATO-s vitin e kaluar.

Sipas udhëzimeve të NATO-s shtetet anëtare duhet të shpenzojnë së paku dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto në ushtri çdo vit. Por vetëm shtatë nga 29 shtetet anëtare arritën këtë nivel në vitin 2018.


TË NGJASHME