HomeSport

Messi dhuron spektakël, teksa Barcelona ‘shkatërron’ Vallaloid

Pas shtyrjes së “El Classico”, Barcelona është kthyer te fitorja me goleadë, teksa ka mposhtur Vallaloid me rezultatin e thellë 5-1.

Mbrojtësi Lenglet, në minutën e 2-të të sfidës, hapi festivalin e golave teksa shënoi golin e parë.

Megjithatë kur u duk se ndeshja do të ishte mjaft e thjeshtë për katalanasit, Kiko Olivas në minutën e 15-të, do të përfitonte nga një rrëmujë në zonë dhe do të shënonte për 1-1. Por, ky gol sa do të shtynte katalanasit më shumë dhe në minutën e 29-të, magjiku Lionel Messi, do të jepte një asist perfekt për Vidal që do të rikthente avantazhin.

Dy golat e tjerë, ishte pikërisht radha e “pleshtit” për t’i shënuar. Goli i tretë për Barçën, në të 34-tën, ishte një perlë nga Messi, direkt nga goditja e dënimit. Argjentinasi shënoi edhe në minutën e 75-të, ku pasi depërtoi brenda zone, nuk u mendua dy herë, dhe me të majtën shënoi të dytin personal.

Pati kohë edhe për një gol të Luis Suarez në të 77-tën, me uruguaianin që sërish mori një pasim fantastik nga Messi, dhe vetëm me portierin nuk e pati të vështirë të shënojë. Me këtë fitore, Barça merr vendin e parë në Spanjë me 22 pikë, dhe me ndeshjen ndaj Realit për të zhvilluar.


TË NGJASHME