HomePolitikë

A do të kandidojë sërish? Dako: Unë, në krye të fushatës…drejt fitores!

I pyetur drejtpërdrejt nga Eni Vasili në emisionin “Open” të kësaj të enjteje në Top Channel, nëse Dako do të kandidonte për një tjetër mandat në krye të BashkisëDurrësit, ai u shpreh se “në çdo rast, në çfarëdolloj pozicioni, unë do të jem në krye të fushatës elektorale dhe do të garantoj që fitorja të jetë edhe më e thellë sesa në vitin 2015”.

Por, Dako theksoi se vendimin për këtë gjë nuk e merr Vangjushi, bazuar në dëshirën e tij, por strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Ai deklaroi se është i fokusuar të mbyllë mandatin me sukses, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë ofertë deri më tani, ndërkohë që nuk ndihet i vjetër për të mos kontribuuar edhe më tej për socialistët në Durrës.

Sipas informacioneve që kishte gazetari Enton Abilekaj, bazuar në burime të tij, Dako nuk do të rikandidohet. Por, ai vet tha se është gati për çfarëdolloj pozicioni tjetër për të kontribuuar për qytetin e Durrësit, duke hedhur si hipotezë se edhe në biznes privat mund të japësh kontribut.

Në fakt, Dako kur erdhi në krye të Bashkisë në vitin 2007 përballë Telitit, për të mposhtur më pas Xhaferrin dhe Dumën në zgjedhjet e 2011-s apo 2015-s, vinte thjesht si një biznesmen i fuqishëm që u zgjodh të përfaqësonte PS-në në momentin e saj më kritik në qytetin bregdetar, pa pasur asnjë përvojë politike apo eksperiencë partiake me socialistët.

Dako tha se mandati i tij ende nuk ka përfunduar, se qytetarët durrsakë kanë ende çfarë të presin prej tij, pasi është në shërbim të tyre deri në ditët e fundit para fushatës, ndërkohë që nuk i frikësohet çfarë bën Prokuroria, pasi “nuk është Prokuroria organi përfaqësues që jep fajësinë ose pafajësinë”.

Duke e cilësuar si forcë të tijën përballë shumë politikanëve të tjerë që janë në Durrës, Dako tha se ulja e tij në tryeza apo dëgjimi i çdo halli të qytetarëve ka vazhduar dhe do të vazhdojë, sepse vetëm kështu mund të zgjidhen ato./tch


TË NGJASHME