HomePolitikë

A do të vijojë opozita me protestat? Përgjigjet Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndërsa u foli për situatën politikë në vend dhe aksionin e opozitës, i pyetur nëse do të vijojnë protesta, nuk dha një përgjigje të qartë.

I ftuar në “Kjo Javë”, Basha tha se ato nuk janë ndalur kurrë dhe as nuk janë spostuar, ndërsa shtoi se aksioni i opozitës nuk është mjaftuar vetëm me protestat.

Axhenda e protestave është në funksion të objektivave politikë që një forcë politike apo një koalicion ka. Pra, nuk është se janë stopuar. Protesta ka patur përditë. Opozita është gjithmonë në krah të qytetarëve, nëse protestojnë kundër padrejtësive dhe korrupsionit tek Unaza e Re apo tek Teatri Kombëtar. Protestat kanë vazhduar në Shkodër, në Vlorë, në Korçë, në Tiranë“, tha Basha.

Pjesë nga Intervista: 

Lulzim Basha: Opozita është në krye të detyrës, në një moment shumë kritik që po kalon vendi. Momenti kritik që po kalon vendi, në radhë të parë, shikohet tek shtëpitë e shqiptarëve, tek frigoriferët e boshatisur të shqiptarëve, tek fakti që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk mbyllin dot muajin. Këto janë pasojat e një politike të gabuar të një shteti të falimentuar dhe një partie në pushtet të kapur nga krimi dhe të zhytur në korrupsion. Ndërsa shkaku i vërtetë i kësaj krize është asgjesimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj, e gjithë beteja e opozitës është fokusuar tek zgjidhja e kësaj krize ekonomike, sociale dhe politike, duke nisur me rrënjët e së keqes, që është rikthimi i legjitimitetit të qeverisjes përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, aksioni ynë nuk është mjaftuar vetëm me protestat, por edhe me një aktivitet të ngjeshur me qytetarët shqiptarë për të konsultuar vizionin tonë, planin tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike; me faktorin ndërkombëtar, i cili është një aktor shumë i rëndësishëm edhe në kuadër të integrimit europian; natyrisht edhe brenda koalicionit opozitar për përpunimin e platformës politike për nxjerrjen e vendit nga kriza. Këto të treja janë të ndërthurura me aktivitetin e protestave, të cilat kanë qenë të ngjeshura dhe, padyshim, do të vazhdojnë si një mjet presioni për të zgjidhur krizën e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në vend.

Pyetje: Këto protesta do të vijojnë pas 17 Tetorit me përgjigjen e BE për negociatat?

Lulzim Basha: Axhenda e protestave është në funksion të objektivave politikë që një forcë politike apo një koalicion ka. Pra, nuk është se janë stopuar. Protesta ka patur përditë. Opozita është gjithmonë në krah të qytetarëve, nëse protestojnë kundër padrejtësive dhe korrupsionit tek Unaza e Re apo tek Teatri Kombëtar. Protestat kanë vazhduar në Shkodër, në Vlorë, në Korçë, në Tiranë.

Pyetje: Patjetër, por fjala është për ato protesta që mbushën bulevardin.

Lulzim Basha: Këtë po ju them, që protestat janë mjet për të arritur një qëllim dhe qëllimi që ne kemi është është t’u shërbejmë njerëzve, t’u shërbejmë qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza. Nxjerrja e vendit nga kriza do të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura në një ditë me zgjedhjet legjitime  vendore, në kushte që garantojnë lirinë e votës dhe zgjedhje të lira e të ndershme.


TË NGJASHME