HomePolitikë

A duhet të iki Basha dhe çfarë do të ndryshonte Grida në PD?!

Grida Duma e ftuara kryesore në emisionin “Real Story”, po zbulon detaje mbi të vërtetat e librit të saj “Koha për politikë”, përballë analistëve Fatos Lubonja, Skënder Minxhozi dhe Arion Sulo.

Duma tha se në librin e saj flet për Reformën Zgjedhore, dhe se PD duhet të jetë pararojë, duhet të jetë shumë më tepër gjithëpërfshirëse dhe transparente në këtë proces.

Ndër të tjera, ish-deputetja u “ngacmua” nga analisti Skënder Minxhozi lidhur me drejtimin e partisë nga Lulzim Basha dhe çfarë do të bënte ndryshe, nëse do të ishte ajo kryetare e PD.

Duke u treguar mjaft u kujdesshme në reagimin e saj dhe duke thënë se problemi nuk është Basha, Grida Duma vuri theksin te protestat, që sipas saj, duhet të kishin nisur me patjetër pas 18 tetorit, kur Shqipëria mori vlerësim negativ nga BE për hapjen e negociatave.
Pjesë nga debati:

Duma: Kam thënë për Reformën Zgjedhore se duhet të jetë e hapur. Këtu vijon ai grup pune që është ngritur, që për mua duhet të ishte ngritur më shpejt. Vota e lirë për mua ka vlerë kur ke alternativë. Unë kam thënë reforma Zgjedhore, sepse PD nuk do të jetë kurrë me mbështetje të krimit të organizuar. Ne e kemi thënë që votat i blen krimi dhe ne s’do t’i kemi kurrë këto vota.

Nëse jemi sot pjesë e një grupi parlamentar apo një parti, duhet të japim kontribut për atë parti. Ne duhet të jemi pararojë, duhet të jemi shumë më tepër gjithëpërfshirës dhe transparentë për Reformën Zgjedhore. Ekspertët në tryeza të hapura, akademikët, mund të jenë pjesë e një diskutimi shumë transparent, të asaj që PD ka mundësi ta bëjë.

Minxhozi: A ka problem lidershipi?

Duma: Padyshim që ka gjëra që s’kanë shkuar mirë. Këtë gjë e ka pranuar edhe vetë Basha. Madje ka njerëz që e kanë kritikuar deri në ekstrem.

Minxhozi: A duhet të jetë më e matshme performanca e lidershipit? A duhet të gjenden rrugët që një kryetar partie të mos bëhet i përjetshëm? A duhet të jetë lidership, kur po prodhon teza të ndryshme? Çfarë do bënte ndryshe Duma në PD?

Duma: Duhet të mbarojë diversioni nëse është çështje e Lulzim Bashës apo jo. Nuk është çështje e Bashës. Të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Edhe ato gjëra që nuk janë bërë në marzhin që duhet të bëheshin, ju nuk i shikoni dot. Kemi lëvizur nga një strategji te një tjetër, duhet t’ia sqarojmë patjetër njerëzve. Unë mendoj se nëntë pikat e Bundestagut duhen bërë se s’bën, por ne nuk mund të lëmë pa përfaqësuar valën e protestës popullore.

Pas datës 18 unë kam thënë se duhet të vazhdojnë protestat. Ne e kemi thënë që në shtator nisin protestat, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kemi thënë që do të nisin protestat. Për mua protesta është pjesë e fushatës. Data 18 e tejkalonte PD-në. Protesta është një kolonë dhe pasi nuk u arrit integrimi, pa diskutim që duhet të kishte një kundërsulm.


TË NGJASHME