HomePolitikë

A i shkeli afatet për anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese? Meta sqaron vendimin dhe sulmon kreun e KED

meta

Presidenti Ilir Meta, në një deklaratë për mediat, ka sqaruar vendimin për dekretimin e Marsida Xhaferllari, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Meta tha se nuk ka një afat në Kushtetutë për Presidentin, duke shtuar se është detyra e KED-së të rregullojë listat e vakancave, kritereve dhe afateve, ndërsa sulmoi edhe kreun e KED-së.

Duhet të keni të qartë ju si gazetar dhe çdo qytetar se nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Ka një afat për Parlamentin sepse dihet që është një institucion kolegjial por nuk kemi një afat për Presidentin. E dyta, Kushtetuta është mbi çdo gjë.

Për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës dhe është tepër e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta aq më tepër Gjykata Kushtetuese. Çdo akt në këtë proces i Presidentit, i Parlamentit dhe institucioneve të përfshira është historik sepse do mbetet si referencë në të ardhmen.

Çdo veprim do të jetë precedent për të ardhmen. Duhet të kemi të qartë të Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është një institucion i cili merret vetëm me menaxhimin administrativ për të garantuar zbatimin e Kushtetutës. Kushtetuta tregon qartë se si krijohet Gjykata Kushtetuese.

E thotë qartë të Presidenti ka të drejtë të emërojë vakancën e parë, pastaj Parlamenti dhe përsëri Presidenti. Është detyra e KED-së të rregullojë listat e vakancave, kritereve dhe afateve dhe të mos kemi përplasje midis institucioneve dhe nuk është e kundërta që KED, i cili është institucion kolegjial, akoma më qartë që Kryetari i KED-së të bëja lojëra të karakterit administrativ duke vendosur kohën kur duhet të dërgojë listat për Presidentin dhe Parlamentin në një mënyrë të dyshimtë për të mos thënë mafioze, që të vendosë kreun e Shtetit në këtë pozitë që o të shkeli Kushtetutën. E bllokuan krijimin e KED për dy vite në mënyrë që të gjenin një kryetar si ky që bën lojëra.”, tha Presidenti Meta.

Ai tha se kreu i KED  ka vendosur vetë kohën për listat e vakancave që janë dërguar.

Gjithmonë i është kërkuar KED-së që të marri të gjitha masat që të mos vinim në një situatë të tillë, pra të masave administrative dhe jo të jemi në një situatë ku pothuajse të gjithë kandidatët janë të paracaktuar dhe mundësia e zgjedhjes pra janë zero. Ka qenë një kërkesë e qartë zyrtare e Presidentit që të mos kemi këtë situatë ku dërgohen në të njëjtën kohë dy vakanca në kohë të ndryshme që i takonte Presidentit të Republikës. Nëse Presidenti do të vendoste në atë mënyrë siç donte të impononte kreu i KED-së jo vetëm Presidenti do të bënte një shkelje të hapur të Kushtetutës, por njëkohësisht Presidenti për shkak të numrit të kufizuar, Presidenti mund të akuzohej nga Parlamenti jo vetëm se shkeli Kushtetutën por e la Parlamentin në pamundësi për të zgjedhur. Jo vetëm Presidenti ka komunikuar me KED shumë më herët se sa tani, dhe çuditërisht pothuajse të njëjta lista që janë miratuar në të njëjtën ditë i çon shumë ditë më vonë në Parlament. Edhe vetë Kuvendi nuk duhet të vinte Presidentin në një institucion të vështirë sepse Presidenti është një institucion jo partiak, ndryshe nga Kuvendi që edhe po u shkel Kushtetuta siç edhe ka ndodhur për fat të keq, është përgjegjësi kolektive.

Ndërtimi i Gjykatës Kushtetuese është vënë kusht nga Bundestagu. Ndërtimi i Gjykatës Kushtetuese sipas Kushtetutës dhe jo sipas lojërave që synojnë kapjen e saj. 

Radhitja nuk është rastësi është për të ruajtur balancat se si krijohet Gjykata Kushtetuese. Është e shprehur shumë qartë që Presidenti nuk mund të bëjë dy emërime të njëpasnjëshme. Jemi në momentin që kemi katër vakanca. Dy të Presidentit dhe dy të Parlamentit, për të cilat duhet ruajtur balancat që ka parashikuar Kushtetuta. Kur ti si KED bën një proces dhe nga ky proces dalin shumë pak emra për gati po kaq vende atëherë çdo zgjedhje që bën Presidenti ndikon edhe tek listat e Parlamentit.

Çdo gjë tjetër është një sofizëm dhe një marrëzi shumë e qartë që ka mundësi të lexojë Kushtetutën.”, u shpreh Presidenti Meta.


TË NGJASHME