HomeSociale

Abuzimi me fëmijët, Meta tregon çelësin e suksesit për të ardhmen

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e shpalljes së lëvizjes kombëtare “Ne jemi 1”, kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, presidenti Ilir Meta tha sot se duhet rritur ndëshkueshmëria për rastet e abuzimit me fëmijët.

Sipas tij rritja e ndëshkueshmërisë është çelësi i suksesit për të mbrojtur fëmijët dhe për të ardhmen e tyre më të mirë.

“Mungesa e ndërgjegjësimit për ngacmimet seksuale të fëmijëve ndikon në mungesën e denoncimeve, e për pasojë edhe të ndëshkimeve. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe në shumicën e rasteve dhunuesit janë të njohur të fëmijëve. Është përgjegjësi thelbësore për të gjithë ne, fatkeqësisht në disa raste institucionet dhe drejtësia kanë dështuar. Është momenti që të gjithë së bashku jo vetëm të ngremë zërin për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, por edhe për t’iu dhënë më shumë zë atyre, si dhe të ngremë barriera për të ndalur shfrytëzimin seksual ndaj tyre.

Shoqëria tronditet kur ndodh një ngjarje, mediat e pasqyrojnë maksimalisht, sepse cdo familje vetëtronditet, por më pas ne harrojmë dhe nuk kemi asnjëherë asnjë bilanc se çfarë ka ndodhur me autorët, cila ka qenë shkalla e ndëshkimit të tyre. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të bërë politika kundër këtij fenomeni. Rritja e ndëshkueshmërisë është çelësi i suksesit për të ardhmen. Do ta mbyllja me shprehjen e Nënë Terezës se “Fëmija është bukuria e Zotit e pranishme në këtë botë dhe dhurata më e madhe për një familje, dhe padyshim edhe për një komb””, u shpreh Presidenti.


TË NGJASHME