HomeSociale

Aksidentet rrugore, Mitat Tola: Pandëshkueshmëria e këmbësorëve, një ndër shkaktarët kryesorë

Një tjetër problematikë shqetësuese që ndikon në aksidentet rrugore sipas shefit të Sektorit të Analizës dhe Projekteve të Policisë Rrugore, Mitat Tola është edhe pandëshkueshmëria e këmbësorëve për shkeljet e kodit të qarkullimit rrugor.

“Këmbësorët nuk janë të ndëshkueshëm sa drejtuesit e automjeteve. Policia rrugore vendos rreth 600 mijë masa në vit për shkeljet e drejtuesve të mjeteve, çka ka ndikuar në disiplinimin e tyre. Një drejtues mjeti mund ta ndëshkosh dhe ai vetëkorrigjohet, kurse këmbësori është shumë i vështirë për tu ndëshkuar. Infrastruktura nuk i jep atë luks policisë rrugore për të ndëshkuar këmbësorin. Në shkolla edukimi bëhet në mënyrë jo të organizuar, dhe nuk është në sistem. Këmbësorët ecin përgjatë rrugës sikurse mjetet. Këto janë arsye që  këmbësorët janë viktima në aksidente”, bëri me dije Tola.

Po cilat janë rrugët më problematike në kryeqytet dhe si mund të rregullohet infrastruktura e tyre për të parandaluar aksidentet rrugore?

“Duke filluar me rrugën ‘Dritan Hoxha’, (duke parë dhe mosbindjen e këmbësorëve), kjo rrugë duhet të ishte me trafik ndarëse të ngritur që mos kalonin këmbësorët nga një anë në tjetrën. Duhet edhe dhuna përderisa nuk gjobiten, bëjmë këtë infrastrukturë dhe këmbësori do të kalojë aty ku duhet. Rreth rrotullimi i TEG-ut është një problem i madh, komplet me shkurre dhe nuk shikohet asgjë, duhet të rregullohet. Edhe aty ku ka vend kalime, këmbësorët nuk e zbatojnë.  Mendoj se organet kompetente duhet të gjejnë një zgjidhje për ti gjobitur apo edukuar këta këmbësorë”, tha specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti.

Ndërkohë për ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve, policia rrugore ka nisur një fushatë sensibilizuese në të gjitha shkollat në vend. Shefi i Sektorit të Analizës dhe Projekteve të Policisë Rrugore, Mitat Tola bën thekson se një pjesë e konsiderueshme e aksidenteve ndodhin poshtë mbikalimeve, çka tregon se qytetarët shqiptarë ende nuk kanë arritur të respektojnë rregullat për të mbrojtur jetën e tyre.

“Duke filluar nga data 1 nëntor, policia rrugore ka shkuar nëpër shkolla dhe ka bërë sensibilizimin për sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.  Dua të theksoj se këmbësorët vdesin 31% më shumë në rrugët urbane, brenda qendrave të banuarve. Shpeshherë në autostradën Tiranë-Durrës, pjesa më e madhe e aksidenteve na kanë ndodhur poshtë mbikalimeve, këmbësorë që lodhen të kalojnë mbi mbikalim, dhe vdesin”, u shpreh Tola për ALERT.


TË NGJASHME