HomeLajmi i Fundit

Aksion në Shkodër, trafikantët “arratisen”pasi panë policinë

Policia ka sekuestuar në një operacion të koduar “Pult’, 51 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe një sasi fishekësh luftarakë.

Por, dy personat, të dyshuar si trafikantët, pasi kanë pikasur policinë, duke përfituar edhe nga terreni i vështirë malor mundën të largohen.

NJOFTIMI 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët në DVP Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pult”, si rezultat i të cilit, gjatë kontrolleve të ushtruara në ndërtesat e pa banuara në fshatin Plan, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 51 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 100 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një telefon celular.

Si rezultat i operacionit dhe veprimeve hetimore është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e dy shtetasve K. L. 27 vjeç dhe M. L. 24 vjeç, të dy banues në fshatin Plan, Shkodër.

Për shkak të terrenit të vështirë malor, në momentin që kanë kuptuar që po ndiqen nga Policia, këta dy shtetas kanë arritur të largohen, por po punohet intensivisht për kapjen dhe ndalimin e tyre.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”