HomeLajmi i Fundit

Aksioni Policë së Shtetit, në Ksamil lirohen 4000 m2 plazh

Ditën e sotme, në plazhin e Ksamilit, Policia e Shtetit ka bërë të mundur lirimin e 4000 m2 plazh, që ishinm zaptuar në mënyrë të paligjshme nga 3 persona.

Sic thuhet ne njoftim, eshte finalizuar sot operacioni “Plazh i lirë”, zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Komisariati i Policisë Sarandë, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier, në bashkëpunim edhe me Bashkinë Sarandë.

Policia e Shtetit liroi dhe vendosi në dispozicion të pushuesve rreth 4000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga disa shtetas.

Nga aksioni i kryer nga policia, janë proceduar penalisht edhe 3 pronarët e subjekteve që kishin ngritur dhe ushtronin aktivitete e tyre në mënyrë të paligjshme.

Gjatë ditës së sotme, si rezultat i operacionit janë hequr nga Policia rreth 960 shezlongë, çadra e tavolina, duke iu kthyer hapësira e plazhit pushuesve.

Në vijim, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë proceduar penalisht 3 pronarë subjektesh në Ksamil dhe konkretisht:

• P. I., banues në Ksamil, pasi në subjektin e këtij shtetasi, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 600 shezlongë, çadra e tavolina, që shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa leje nga Bashkia.

• F. P., banues në Ksamil. Në subjektin e këtij shtetasi, janë bllokuar dhe sekuestruar rreth 200 shezlongë, çadra e tavolina, që ishin vendosur në një sipërfaqe pronë publike dhe pa lejen e Bashkisë.

• B. M., banues në Ksamil. Në subjektin e këtij shtetasi, është konstatuar se i gjithë aktiviteti tregtar është zhvilluar përgjatë gjithë kësaj kohë pa leje përkatëse nga Bashkia Sarandë dhe Policia hoqi rreth rreth 160 çadra, shezlongë e tavolina nga hapësira publike e zënë në mënyrë të kundërligjshme.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve, çdo hapësirë publike, të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë në ngarkim të secilit nga shtetasit e lartpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pushtimi i tokës”.