HomePolitikë

Albin Kurti letër publike Isa Mustafës, reagon ky i fundit

Teksa po skadojnë afatet për regjistrimin e koalicionit zgjedhor për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i është drejtuar me një letër publike LDK-së, duke i bërë edhe një ofertë të minutave të fundit.

Pengesa kryesore duket se është posti i kryeministrit. Duke qenë se LDK-ja e Isa Mustafës kërkon që qeveria të drejtohet prej tyre, Albin Kurti propozon që posti i kryeministrit të jetë për atë që merr më shumë vota.

LDK-ja ka përzgjedhur deputeten Vjosa Osmani për kryeministre, e cila në dy mandatet e fundit si deputete ka qenë më e votuara edhe se sa lideri i partisë së saj dhe më shumë se Albin Kurti.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

I nderuari Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa,

E di që ne pajtohemi se Kosova është shtet i dobët sepse është shtet i kapur.

Sot, çkapja e shtetit nga mujsharët shpërdorues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është nevojë jetike dhe urgjente për Kosovën si dhe pritja themelore e qytetarëve të Republikës. Po ashtu, sjellja e investimeve në ekonomi, zhvillimi që rrit punësimin, nuk janë të mundura pa çlirimin e prokurorisë dhe gjyqësorit nga Klani Pronto.

Sot, koalicioni parazgjedhor i dy subjekteve tona është ajo që dëshirojnë dhe shpresojnë qytetarët tanë. Në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, LAA fitoi 29 deputetë kurse LVV 32 deputetë. Ne atëherë i kishim së bashku 61 deputetë. Dalja e AKR-së nga LAA atëbotë e formoi qeverinë e PAN-it. Po u bëmë ne bashkë, efekti i sinergjisë është i garantuar dhe do të mund t’i arrinim 70 deputetë nga zgjedhjet reja dhe qeverisje stabile.

Në ofertën time të tetorit 2018, nuk jeni përgjigjur, mirëpo, ndërkohë kemi pasur takime e komunikime të rregullta e konstruktive. Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avansojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë.

I ngelur pa përgjigje për ofertën time të kahmotshme për bashkëqeverisje me LDK-në, vendimin e kryesisë së LDK-së për kandidatin e partisë suaj për kryeministër e mësova nga mediet. Takimet tona kanë qenë partneritet vleror. Kjo u ndryshua me fakte të njëanshme partiake që neve na u hodhën fytyrës.

Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm.

Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.

Duke shpresuar në përgjigjen tuaj pozitive, pranoni përshëndetjet tona.

Me nderime,

Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Prishtinë, 30 gusht 2019

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i është përgjigjur Albin Kurtit për ofertën e bërë para pak minutash. Në këtë përgjigje të Mustafës është ripërsëritur qëndrimi i deritashëm i LDK-së që koalicioni të lidhet nën drejtimin e Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre.

Sipas LDK’së shkuarja në zgjedhje pa një kandidat për kryeministër dhe vetëm me një listë zgjedhore i lë gjërat shumë të paqarta.

Kurti në ofertën e tij i ka dhënë LDK’së numrin një të listës për Vjosa Osmanin dhe numrin dy për Vetëvendosjen.  Ai shton se kush merr më shumë vota, të bëhet kandidat për kryeministër.

Postimi i Isa Mustafës:

Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti

I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.

LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.

LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.

LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.

Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.

Me respekt, Isa Mustafa


TË NGJASHME