HomeLajme

AMA: Më 1 tetor mbyllen transmetimet analoge

Autoriteti i Mediave Audiovizive në mbledhjen e tij të zhvilluar sot, vendosi mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, në 01 tetor 2019, si dhe shtyrjen e afatit të kalimit në transmetimet numerike për qarkun Vlorë, deri në një datë të dytë që do të përcaktohet në vijim nga AMA.

Bordi u njoh me masat e marra nga AMA gjatë kësaj periudhe për administrimin e procesit të kalimit në transmetimet numerike. Lidhur me pajisjen e popullatës me dekodera, nga të dhënat dhe informacionet e depozituara nga operatorë të ndryshëm tregtarë, ka rezultuar se në treg ka numër mëse të mjaftueshëm dekoderash, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Kujtojmë se qeveria në kuadër të këtij procesi ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. AMA gjatë vitit të fundit ka intensifikuar dhe diversifikuar fushatën e informimit të publikut duke e përcjellë atë nëpëmjet mediumeve të ndryshme informative. Me kalimin në transmetimet numerike, shikuesit kanë mundësi të ndjekin 38 kanale pa pagesë të cilat mund të shikohen nga të gjithë dekoderat e tipit DVB-T2, më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit.

Mbulimi me sinjal numerik i territorit dhe cilësia e transmetimit përmes teknologjisë digjitale janë shumë herë më të larta krahasuar me teknologjinë analoge. AMA, pavarësisht se pjesa më e madhe e qytetarëve tashmë janë të pajisur me dekodera, fton qytetarët që nuk janë pajisur ende me këtë pajisje, të marrin masa për të mundësuar aksesin në transmetimet televizive numerike.


TË NGJASHME