HomePolitikë

Ambasada amerikane dhe britanike mirëpresin krijimin e qeverisë së Kosovës

Ambasada amerikane në Prishtinë ka përshëndetur formimin e qeverisë së re në Kosovë.

“Mezi pres të punojë me të gjitha institucionet e Kosovës, partitë tjerë dhe shoqërinë civile për të fuqizuar drejtësinë dhe për t’i ndihmuar Kosovës në ndërtimin e marrëdhënieve paqësore me fqinjtë e saj”, ka thënë ambasadori amerikan, Philip Kosnett në një postim në rrjetin social, Tëitter.

Të hënën në Kuvendin e Kosovës është votuar qeveria e re, në krye me liderin e Lëvizjes Vetëvedosje, Albin Kurti. Qeveria e re është rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Rel.

Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Pak para votimit, partitë politike opozitare kanë lëshuar sallën e kuvendit. Formimin e qeverisë së re e ka përgëzuar edhe ambasada britanike.

“Është një rrugë e rëndë përpara për administratën e re, duhet të adresohen çështje urgjente, duke përfshirë buxhetin shtetëror për vitin 2020, vendimet e bllokuara administrative dhe sundimin e ligjit. Me 6 tetor, Kosovarët votuan për ndryshim. Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në implementimin e dëshirave të votuesve dhe shpresave të gjithë kosovarëve”, ka thënë ambasadori britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott.


TË NGJASHME