Ambasada jep paralajmërimin e fortë

Ambasada tërheq vëmendjen për korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Shqipëri, pasi thekson se lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.


“Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, shkruan ambasada amerikane në një postim në faqen e vet në Facebook.


Përmes një videoje, Ambasada thekson se Sekretari i Shtetit ka përcaktuar publikisht rreth 100 persona në mbarë botën, 14 prej të cilëve shqiptarë, që u është ndaluar hyrja në SHBA.

Teksa përmenden rastet e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe deputeti Tom Doshi, Ambasada njofton se të tjerë pritet të jenë në listë, sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara, që përcakton ndalimin për korrupsionin madhor.
Postimi i Ambasades Amerikane
Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, ne do të shpjegojmë përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. #ShqiperiaLuftonKorrupsionin #NdalKorrupsionit