HomeSociale

Ambasadori Soreca: Reforma në drejtësi…

Presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar me argumentin e dhënë për mospjesmarrje nga EURALIUS, misioni i BE për asistencë në reformën në drejtësi, në një tryezë për të zgjidhur problematikën me Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Presidentit Meta, përgjigja e marrë nga zyra e presidencës prej EURALIUS ishte: “Ne në takim nesër, nuk vijmë dot sepse jemi mision teknik”.

Pra, theksoi Presidenti, je mision teknik dhe do të thotë se ke marrë një porosi politike”.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu pyeti Delegacionin e BE në Tiranë se cili ishte qëndrimi i tyre pas deklarimeve të sotme të presidentit Ilir Meta në lidhje me reformën në drejtësi.

Përmes postës elektronike kreu Delegacionit të BE Luigi Soreca dha këtë përgjigje.

“Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara agjendën ereformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kerkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese”.

Reforma në drejtësi thotë në përgjigjen për Top-Channel ambasadori Seoreca, po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës.

“Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur” thekson ai.

Kreu delegacionit të BE në Tiranë, ambasadori Soreca në fund të përgjigjes së tij deklaron:

“Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do tavazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të”.


TË NGJASHME