HomePolitikë

Ambasadorja gjermane: Qeveri legjitime, njohim opozitën e re

Mbi situatën politike në vend ka reaguar edhe ambasadorja gjermane, Susanne Schütz.
Schütz ka thënë se vendi ndodhet përpara vendimarrjes së rëndësishme të BE-së lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Ajo ka komentuar edhe djegien e mandateve nga opozita, duke thënë se e respektojnë vendimin e secilit deputet për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve, ndërsa theksoi se mbështet edhe deputetët e rinj që zunë vendin në Kuvend.

Reagimi i plotë:
Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë , në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej  dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që edhe pse ngadalë -reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale. Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët , por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore.

Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin  e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend.

Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve.

 


TË NGJASHME