HomePolitikë

Analistët: Qeveria e Haradinaj mund të rrëzohet në tetor

Analistët politikë thonë se qeveria “Haradinaj” mund të bjerë në vjeshtën e sivjetme dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ata shprehen se këtë e kërkon partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK), i cili dëshiron ta rrëzojë liderin e AAK-së nga drejtimi i ekzekutivit.

Fillimi i vjeshtës së këtij viti mund të jetë fundi i qeverisë “Haradinaj”. Mocioni i mosbesimit, të cilin janë duke e përgatitur partitë opozitare, vlerësohet se do t’i japë fund qeverisë aktuale. Deri tani partitë opozitare kanë mbledhur 58 nënshkrime të deputetëve që do të votojnë pro mocionit dhe janë në kërkim të tri nënshkrimeve tjera nga partitë e vogla të koalicionit qeverisës.

Madje nga opozita thonë se mocioni i mosbesimit mund të ngrihet në fillim të shtatorit të këtij viti. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mund të jenë ato që do ta rrëzojnë Qeverinë aktuale. Mirëpo nga Partia Demokratike thonë se nuk do të ketë zgjedhje, ndonëse shprehen tejet të gatshëm për to. Ndër faktorët që do ta përcaktojnë jetëgjatësinë e Qeverisë aktuale vlerësohet të jetë edhe çështja e dialogut Kosovë – Serbi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për përpjekjet e partive opozitare për rrëzimin e qeverisë së vendit, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Molliqaj tha se e konsideron veprim të mençur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos paraqitur mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës pa i siguruar votat e nevojshme.

Ai ka përshëndetur partinë e Isa Mustafës për “lëvizje të pjekur, në vend se t’ju hyjë aventurave”.

“Kosovës s’i duhen eksperimentet”, është shprehur deputeti i PSD’së, që po ashtu ndodhet në opozitë. Çdo dështim, që dihet që është dështim, nuk i ndihmon kauzës”, ka deklaruar ai në T7.

Sipas tij, ende nuk janë pjekur kushtet për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

“Nevojitet edhe pak kohë, në bisedimet PSD, LDK, VV, Alternativë e tjerat”, është shprehur Molliqaj.

Sipas tij, ekzistojnë “gjasa reale” që rrëzimi i qeverisë të ndodhë në tetorin e këtij viti.


TË NGJASHME