HomeSociale

Anëtarësimi në INTERPOL, një sfidë e madhe për Kosovën

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se arritja e qëllimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Policore INTERPOL, do të jetë një sfidë mjaft e vështirë për vendin dhe institucionet e tij.

Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, më 31 janar të këtij viti dhe siç patën konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kjo kërkesë është pranuar nga INTERPOL-i.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Anton Berisha, thotë se çështja e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nuk është vetëm çështje politike, por më shumë teknike, e cila ndërlidhet me standardet që i kërkon Bashkimi Evropian, në raport me luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Po, sigurisht që do të jetë sfiduese në qoftë se Serbia vazhdon me të njëjtin ritëm sikur herën e kaluar. Bashkimi Evropian dhe strukturat përkatëse do të duhej të bënin presionin e nevojshëm ndaj Serbisë që të mos krijojë pengesa sikurse herën e kaluar. Në anën tjetër, ne jemi duke i vazhduar me procedurat standarde teknike, sepse në thelb kjo është çështje teknike, është çështje e një institucioni që ka të bëjë me sigurinë dhe sot, në rrethanat që jetojmë, siguria e një shteti nuk është vetëm e atij shteti, por është edhe siguri për rajonin dhe më gjerë”, tha Berisha.

Njohësit e zhvillimeve në vend, vlerësojnë se i gjithë procesi për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL, do të jetë sfidë e madhe.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në procesin e anëtarësimit në INTERPOL, Kosova do ta ketë një situatë edhe më të komplikuar sesa që e kishte në tentimin e kaluar, kur pati në rezultat të pafavorshëm.

“Është vërtetë për të ardhur keq, një lloj ngecjeje, një lloj tërheqjeje e institucioneve të Kosovës, për të mos ndërmarrë veprime për ta përmirësuar situatën, hiq këtu çështjen e taksës. Mendoj që kemi bërë gabim të jashtëzakonshëm pse nuk e kemi ngritur çështjen e Marrëveshjes së prillit të vitit 2013, që parasheh, në mes tjerash, heqjen e çdo obstruksioni që palët mund t’ia bëjnë njëra-tjetrës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Nga hera e parë e derë më tash nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret dhe unë e shoh si shumë të komplikuar situatën”, theksoi Hoti.

Ai ka shtuar se në rastin më të keq, nëse Kosova nuk do të arrinte të anëtarësohet edhe kësaj radhe në INTERPOL, kjo do të ishte një ‘bumerang’ për të dhe për një gjë të tillë duhet të kërkohet përgjegjësi institucionale.

Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë që herët kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin të gjitha veprimet diplomatike për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Së fundmi, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, gjatë një vizite në Rusi, të mërkurën ka thënë se anëtarësim në INTERPOL, është në kundërshtim me rregullat themelore të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikollai Patrushev, me të cilin u takua Stefanoviq, konfirmoi se vendi i tij do t’i ofrojë mbështetje Serbisë në takimin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të INTEPOL-it, për të parandaluar pranimin e Kosovës.

Zëvendësministri Berisha, thotë se në fazën e lobimit për anëtarësim në INTERPOL, Kosova duhet të përmbahet nga ekspozimet politike, që sipas tij, kanë ndodhur në tentimin e kaluar për anëtarësim. Sipas tij, Kosova, gjithashtu, do të kërkojë nga partnerët perëndimorë, sidomos te vendet e Bashkimit Evropian, që të bëjnë presion mbi Serbinë që çështjen pranimit të Kosovës në INTERPOL të mos e trajtojnë si çështje politike, por teknike.

“Fundja, Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, është ende në fuqi dhe kjo është një mundësi që Bashkimi Evropian të bëjë presionin e duhur për zbatimin e marrëveshjeve. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, nuk është pa detyrime ndaj marrëveshjes dhe nuk është se nuk janë të njoftuara lidhur me marrëveshjen”, vlerësoi Berisha.

Edhe profesor Hoti vlerëson që çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL do të duhej të zhvishej nga elementet politike. Prandaj, sipas tij, lobimi i Kosovës për këtë çështje duhet të jetë detyrë parësore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit, e cila është dashur dhe duhet t’i bindë vendet e ndryshme që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nënkupton sundim të ligjit dhe rendit dhe luftimin e çfarëdo fenomeni negativ ndërkombëtar.

“Mendoj që kemi pasur kohën e mjaftueshme për ta përmirësuar situatën dhe eventualisht për të korrur sukses. Por, nëse kësaj i shtojmë praktikën krejtësisht të kundërt, që nga dështimi në përpjekjen e parë, ne nuk kemi ndërmarrë as hapin më të vogël të vetëm në këtë drejtim. Atëherë që koha ecën, koha kalon dhe sigurisht që mund të jemi para situatave jo shumë të këndshme. Unë, nga ajo që shoh, të paktën në publik – nëse këtu nuk luajmë me teori të konspiracionit – mendoj se jemi në situatë shumë të pafavorshme dhe unë vërtetë jam shumë pesimist”, u shpreh Hoti. 


TË NGJASHME