HomePolitikë

Apeli lë në fuqi mbylljen e çështjes “CEZ”, reagon Balla

Ditën e sotme Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për dosjen CEZ, për pushimin e saj në mungesë të provave.

Në datën 21 janar, Gjykata vendosi të pushojë çështjen e privatizimit të OSSH nga CEZ me argumentin se nuk kishte elementë të veprave penale për ish-zyrtarët e akuzuar.

Në një reagim në “Facebook”, kreu i grupit parlametar socialist, Taulant Balla akuzoi për këtë vendim gjyqtarët të cilët ende nuk kanë kaluar vetingun dhe paralajmëroi se do të bënte ankimim të çështjes në Gjykatën e Lartë.

“Vendimi i paligjshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili u la sot në fuqi në Apel, do të ankimohet menjëherë.”– shkruan Balla.

Mazhoranca parlamentare pas ardhjes në pushtet në vitin 2013 ngriti një Komision Hetimor Parlamentar të drejtuar nga Taulant Balla, për të hetuar procedurën e privatizimit të OSSH nga çekët e CEZ në 2007.

Personat e akuzuar në lidhje me këtë çështje janë ish-kryeministri Sali Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli, biznesmeni Nue Kalaj, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në atë kohë, të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ, dy ish-zv/ministrat e energjetikës dhe transportit, Florion Mima dhe Eno Bozdo, Ledina Mandia, ish Avokate e Shtetit dhe dy ish-kryetarët e ERE, Bujar Nepravishta dhe Sokol Ramadani.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME