HomePolitikë

Apostolova, ja kur liberalizohen vizat për Kosovën

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka komentuar sot në një konferencë për media, Raportin e Progresit për Kosovën.

Ajo tha se porositë e përfaqësuesve të BE-së ishin të qarta, pasi ka fusha ku përparimi është bërë, por ka edhe shumë fusha ku nevojitet progres.

“Më lejoni të jap përgëzimet. Me pakon e sotme të zgjerimit, Komisioni Evropian konfirmon zotimin për zgjerim, por gjithashtu kemi konfirmuar se nuk ka rrugë të shkurtë për në BE, por ka ende boshllëqe. Ky raport, në krahasim me atë vitit të kaluar, ofron një përmbushje më të madhe. Është një vlerësim i drejtpërdrejtë i Kosovës. Ai tregon se i jep kredi progresit të arritur. Qeveria ka treguar përparim në përmbushjen e pakos legjislative të miratuar në shkurt, në administratë publike dhe reformimin e pagave. Përmirësime janë bërë në financa dhe kjo tregon se Kosova ka kapacitet për të përmbushur reformat. Tani është koha që të kemi rezultate të prekshme, për të pasur një ekonomi më të fortë dhe gjyqësor”, tha ajo.        

Apostolova i është referuar edhe konstatimeve negative të Raportit të Progresit, e që kanë të bëjnë me sfidat e vazhdueshme me të cilat Kosova përballet.

“Funksionimi i Kuvendit minohet nga vonesat në aktivitetet legjislative, mungesa e kuorumit. Shpesh vendimet e qeverisë nuk janë as në linjë me të. Tarifa 100 për qind nuk është në dobi dhe shpresojmë që të tejkalohet së shpejti. Emërimi i kriminelëve të luftës në pozita të larta është një zhgënjim dhe kundër vlerave evropiane. Në arsim, nevojitet shumë më tepër angazhim politik. Sa i përket mjedisit, shohim se nevojitet angazhim i madh dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë më me seriozitet”, tha ajo.

Nataliya Apostolova ka thënë se të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave për Kosovën janë përmbushur, për këtë arsye Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë që liberalizmi i vizave për Kosovën, të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Në raportin aktual theksohet që të gjithë kriteret janë përmbushur, ku Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë liberalizmin e vizave për Kosovën, që të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi pa deri më tani në raport, që të gjitha shtetet anëtare të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Apostolova.


TË NGJASHME