HomePolitikë

Arben Malaj: Nuk do kandidoj më në Vlorë, por në Tiranë sepse…

“Ditën që do të marrë vendimin se do të kthehem në politikë do të jap dorëheqjen”, është shprehur Arben Malaj, i cili është aktualisht anëtar i këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ai në këshill ka pranë ndër të tjerët Ridvan Boden, ndërsa të komentuar si “dy ish ministra të financave të caktuar nga Rama”, Malaj e mohon me forcë këtë.

“ Jo, unë nuk jam i caktuar nga Rama. Ne duhet të mësohemi me ndarjen e pushteteve, shumë politikanë të PS-së nuk e kuptojnë ende. Unë nuk aplikova te qeveria, edhe pse e di që mazhorancën e ka qeveria. Duhej vullneti politik? Pse mos të kishte vullnet politik, për mungesë aftësie profesionale, apo kontributi ndaj vendit?”, thotë Malaj.

Për rikthimin e tij në politikë, ai ka deklaruar që nuk do të jetë detyrimisht brenda PS-së. “Po, sepse dihet që marrëdhëniet e mia me drejtimin e PS-së nuk janë më të mira. Unë pata kurajën të them që në 2011 që partia do të ndodhej përballë sfidave të vështira, që tani po i paguan”, thotë ai.

Më konkretisht? “Heqja e pushtetit absolut dhe për kohë të gjatë. Rrinim deri vonë natën për të numëruar votat. Tani gjithçka bëhet me telefon”, thotë Malaj.

Por kush është modeli politik i Malajt? Modelin e ka të prekshëm, edhe pse paksa jashtë kufijve shtetërorë. “E majta duhet të ketë një model si ai i Syrizës”, pohon Malaj.

Por nuk ka aty një populizëm që ai vetë refuzon? “Deri diku, por mos harroni se  pasi mori pushtetin ai e çoji vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse tha “me zemër jam me popullin, por si kryeministër duhet të nxjerr vendin nga kriza”, deklaron.

Vetëvendosja sapo ka hapur zyrat e saj në Tiranë, por ai mohon të ketë lidhje me modelin e tij. “Jam larg rrymave populiste”, e mbyll.

Ai ka opsionet e hapura për të ardhmen, por diçka e ka të qartë. Nëse kandidohet në zgjedhjet e ardhshme, kjo do të ndodhë në Tiranë dhe jo më në Vlorë, “sepse njerëzit janë me mëndje hapur, ka numrat më të mëdhenj dhe mundësitë po ashtu”. /Burimi: A2 CNN/


TË NGJASHME