HomeSport

Arrestohet futbollisti Alban Hoxha

Një lajm tronditës vjen në kampin e Partizanit, pak ditë para derbit të javës së 15-të në Kategorinë Superiore, që “demat” luajnë ndaj Tiranës.

Është portieri i ekipit, Alban Hoxha, që është arrestuar ditën e sotme nga policia, për drejtim mjeti nën konsumin e alkoolit, informon gazeta Panorama.

Vetë 31-vjeçari, mungoi javën e fundit ndaj Flamurtarit, por rikuperimi dukej se po shkonte mirë, dhe do të ishte gati për takimin e ditës së premte ndaj Tiranës.

Ndërkohë vijë edhe detaje të reja. Ai është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, dhe pritet të dalë për masë sigurie në Gjykatë ditën e martë, për të mësuar nëse do të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet.

Siç mësohet, në testin e alkoolit Alban Hoxha ka rezultuar në masën 0.52 miligramë për litër, ndërsa norma e lejuar është 0.30 miligramë për litër.

Ja edhe njoftimi i Policisë:

Policia Rrugore arreston në flagrancë tre shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Nga shërbimet e Policisë Rrugore u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– D. A., 25, vjeç banues në Tiranë, pasi në rrugën “Isuf Elezi”, u kap nga shërbimet e policisë rrugore duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

– L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “Kavajës”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

– A. H., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “George W Bush”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

Materialet në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.


TË NGJASHME