HomeSociale

ARRSH pasqyron situatën e akseve rrugore

Reshjet e denduradëborës gjatë natës kanë krijuar probleme në disa akse rrugore në vend.

Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftimi për mediat raporton për gjendjen e akseve rrugore kryesore në të gjithë vendin.

Gjendja e rrjetit rrugor dhe kushtet e qarkullimit të automjeteve paraqiten si më poshtë:
Rajoni Verior Shkodër: Gjatë natës e deri më tani ka pasur reshje dëbore me intensitet.

Kontraktorët kanë bërë pastrimin dhe trajtimin me kripë të gjithë segmenteve rrugore. Qarkullimi kryhet pa zinxhir në akset Kukës – Bushtricë dhe Kukës – Ura e Zapodit, Qafë Laç – Koman, Koplik – Boge, Dedaj – Razem.

Në segmentin Skuraj – Burrel – Klos – Bulqizë – Peshkopi aktualisht lëvizja e mjeteve kryhet pa zinxhirë, por rekomandojmë përdorimin e zinxhirëve dhe gomave të borës pasi reshjet po intensifikohen.

Në rrugë Ura e Cerenecit – Stëblevë, po punohet me borëpastruese dhe fadroma për pastrimin e rrugës dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë vetëm në pjesën fundore.

Në segmentet e mëposhtme qarkullimi kryhet me zinxhirë:
Qafe Mali – Fierzë (ka rreshje me intensitet, rreth 20 cm borë), Qafë Qele – Puke – Fushë Arrëz – Kukës, Shkodër – Hani I Hotit dhe Ura e topojanit – Dogana Bllate. Firmat e mirëmbajtjes po punojnë intesivisht me borëpastruese e trajtim me kripë për pastrimin total të këtyre segmenteve.

Në Rajonin Qendror Tiranë: Gjatë natës dhe tani , ka rreshje shiu dhe borë. Në akset e Dajtit po punohet nga kontraktori për pastrim dhe trajtim me kripë. Segmenti Qafë Priske – Qafë Mollë – Shëngjergj, Trau Dajt – Teleferik qarkullohet me zinxhirë. Rreshje të dobëta ka patur në Gjinar dhe Stebleve. Po punohet intensivisht për pastrimin e akseve. Deri tani nuk ka probleme. Në Librazhd – Qafë Thanë, ka patur rreshje me intensitet. Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër ka reshje me intensitet të lartë. Në akset e Korçës trashësia e borës shkon rreth 20 cm. Në akset e Dardhës, Voskopojës, Korçë – Qafë Qarri – Ersekë, Liqenas – Dogana Goricë, qarkullohen me zinxhirë. Aksi Kryesor Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Kapshticë, qarkullohet me zinxhirë.

Edhe segmentet Tepelenë – Dorez – Qafë Dushk dhe Sevaster – Kalivaç, Përmet – Çarshovë, Ura e Leklit – Këlcyrë , Jorgucat – Muzinë – Syri i Kaltër, Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër, Kakavijë, qarkullohet vetëm me zinxhirë. Rruga Dukat – Llogara – Sarandë është e hapur dhe qarkullohet pa zinxhirë.

Sipas parashikimit meteorologjik moti do të përkeqësohet. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin zinxhir në akset që përmendëm më sipër, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.


TË NGJASHME