HomeSociale

Artistët austriakë peticion kundër shembjes së Teatrit

Prej ditës kur sheshi para Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u kthye në një arenë përplasjesh midis Policisë e qytetarëve që kundërshtojnë shembjen e godinës, një grup artistësh vjenezë nisën një peticion për të ndërgjegjësuar klasën politike dhe jo vetëm.

Emra të njohur të skenës së artit si autori dhe muzikanti Gerhard Ruiss, por edhe specialistë të arkitekturës si Gabu Heindl kanë dalë kundër shembjes së godinës historike. Vëmendje ka tërhequr sensibilizimi i shkrimtares avangardiste Elfriede Jelinek, e cila në 2004-ën u shpall fituese e çmimit Nobel për Letërsinë.

Kauzës mandej iu bashkuan edhe emra të tjerë në zë, si aktori e regjisori Händl Klaus, gazetari Uëe Mattheiß, si dhe regjisorja e famshme Sabine Mitterecker. Ndërsa në peticionin e tyre, përmendet fakti se në 24 korrik u tentua të bëhet boshatisja e dhunshme e godinës së Teatrit, për të zhvendosur rekuizitën, artistët austriakë, lidhur me procedurat e tenderimit thonë se nuk ka transparencë të plotë.

“Shqipëria përpiqet që, krahas të tjerash, edhe me mbështetjen e fortë austriake, të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është i pamundur nëse rregullat europiane në lidhje me tenderët dhe transparencën e prokurimit nuk respektohen, e madje në të kundërtën, krijojnë precedentë që nuk kanë lidhje me shtetin ligjor”, thuhet ndër të tjera në peticion, ku u bëhet thirrje për reagim klasës politike austriake si dhe europianëve. Në deklaratën që iniciohet nga firmat e emrave të njohur të kulturës austriake, nuk lihet pa u përmendur as qëndrimi kritik i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, për praktikën e Partneritetit PublikPrivat ndjekur edhe në raste të tjera në Shqipëri.

teatri

“Shpërndarja e kostove dhe riskut që lidhet me të, nuk shkon në të mirë të shtetit shqiptar, popullit shqiptar dhe grupeve të prekura të popullsisë shqiptare. Kërkesa e Bankës Botërore dhe FMN është që kjo praktikë të ndalojë deri në realizimin e proceseve transparente të vendimmarrjes. Për diçka të tillë për momentin as që bëhet fjalë”, thuhet në apelin e austriakëve, ku përmendet edhe ndërtimi i kullave private dhe një ndërtese të re teatri, si pjesë e një qendre tregtare.

Nobelistja Elfriede Jelinek
Nobelistja Elfriede Jelinek

MARTIN HENZE NË TEATËR, VLERËSON PROTESTËN

Martin Henze, Kryetari i Komisionit të Transportit në Këshillin Ekonomik të CDU-së, ka vizituar dje artistët e qytetarët që qëndrojnë në ruajtje të Teatrit Kombëtar. Gjatë bisedës që ka zhvilluar me ta, Henze ka vlerësuar mënyrën paqësore se si po zhvillohet protesta. Po ashtu, ai u shpreh se është në dijeni të parregullsive në Ligjin Fusha, dhe të lëvizjeve të maxhorancës, për sa i përket çështjes së Teatrit.

Sipas aktorit, Neritan Liçaj, i pranishëm në takimin e mbajtur dje, Henze e ka vlerësuar dekretin e Presidentit Meta, duke e konsideruar si “perfekt” nga ana juridike. “Ai e njeh të gjithë ‘betejën’ tonë, pyetjet, ende pa përgjigje që Këshilli i Europës i nisi qeverisë sonë. Fakti që na vizitoi është shumë shprehës për ne”, tregon Liçaj për “Panoramën”. Ashtu si ndërkombëtarët e tjerë, edhe Henze është shprehur se kjo është një çështje, ku vendimi përfundimtar u takon institucioneve shqiptare, si dhe Gjykatës Kushtetuese. “Ishte i befasuar dhe nga rezistenca jonë, e konsideroi këtë situatë, si të paprecedentë në të gjithë botën”, tregon Liçaj.

“ËNDRRA PËR TEATËR TË RI”, RAMA: KAME RUAN ATË OPINION QË KA QENË DENBABADEN

Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme, duke vlerësuar regjisorin Gëzim Kame për kontributin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar, ku ka vendosur sa e sa shfaqje të duartrokitura nga publiku, ka publikuar qëndrimin e tij rreth godinës ekzistuese. “Opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të Teatrit është ai që ka qenë denbabaden”, thekson Rama në Facebook-un e tij.

Ndërkohë regjisori në fjalën e tij ka theksuar se diskutimet për Teatrin janë të hershme. “Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do të shembet se nuk e mban zjarrin, do të digjet shpejt, po të njëjtat gjëra. Kreu i aktorëve, Kadri Roshi thoshte: Aman more na bëni një Teatër të ri! Ishte ëndërr e të gjithë aktorëve, sepse që në ’46 ka qenë si barakë. Ne shqiptarët kemi fatin që po bëjmë gjëra të reja këtë periudhë dhe po marrim maksimumin e vlerës së Europës. Në asnjë mënyrë të mos pengohet ndërtimi i një Teatri të ri në atë vend ku është teatri ekzistues”, është shprehur Kame. Komentet e shkëputura të shumë prej artistëve, të publikuara në Facebook-un e Ramës, kanë rezultuar të mos jenë opinion i tyre real për shembjen e Teatrit. Krahas emrave si Bujar Asqeriu apo Ema Andrea, edhe djali i regjisorit të njohur Mihallaq Luarasit ka mohuar që i ati të ketë dashur ndonjëherë shembjen e godinës. Përkundrazi, sipas Eldonit, që prej një viti e gjysmë i është bashkuar qytetarëve për ruajtjen e godinës: Teatri ka qenë amaneti i tij.

FESTIVALI PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Ditën e djeshme, protesta për ruajtjen e ndërtesës aktuale të Teatrit vijoi me muzikë rok. “Unit Band”, një grup të rinjsh nga Shkodra, iu bashkua kauzës, duke gjallëruar atmosferën. Ndërsa sot në orën 20:30, për të mbështetur kolegët, një grup aktorësh nga Kosova do të mbajnë një performancë eksperimentale të titulluar “Kanuni i gruas”, nën regjinë e Arlinda Morinës dhe Labinot Racit./panorama.al


TË NGJASHME