HomePolitikë

Asambleja e OKB-së miraton paktin për emigracionin

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi zyrtarisht një marrëveshje për të nxitur bashkëpunimin global për të luftuar migrimin në rritje, por Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Hungaria, Republika Çeke dhe Polonia votuan kundër këtij pakti vullnetar.

Administrata e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka thënë se qasja globale ndaj çështjes nuk ishte në përputhje me sovranitetin e SHBA-ve dhe Uashingtoni nuk mori pjesë në negociatat mbi paktin e migracionit.

Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që sanksiononte marrëveshjen, u miratua të mërkurën me 152 vota pro dhe 12 abstenime, ndërsa 24 vende nuk votuan. Në një ceremoni në Marok këtë muaj, 164 vende nënshkruan zyrtarisht paktin.

Që nga korriku, marrëveshja, e cila trajton çështje të tilla si mbrojtja e emigrantëve, integrimi i tyre dhe dërgimi i tyre në shtëpi, është kritikuar kryesisht nga politikanët e krahut të djathtë evropianë, që thonë se kjo mund të rrisë emigracionin nga vendet afrikane dhe arabe.

Belgjika votoi në favor të rezolutës së OKB-së të mërkurën, ndonëse kryeministri i Belgjikës Charles Michel, ofroi dorëheqjen të martën pasi kundërshtarët paraqitën një votim mosbesimi në një krizë politike të shkaktuar nga mbështetja e tij për paktin e OKB-së.


TË NGJASHME