Lajme Lajmi i Fundit Sociale

Atentat ish-shefit të Policisë, Florenc Çapja ofron para në këmbim të lirisë

Ofroi garanci pasurore për t’u hetuar i lirë, Gjykata shtyn me një muaj vendimin për Florenc Çapjan.

Fadil Mema, ish shefi i Policisë Rrugore në Elbasan/ Florenc Çapja
Fadil Mema, ish shefi i Policisë Rrugore në Elbasan/ Florenc Çapja

37-vjeçari është një emër i njohur për botën e krimit, pasi dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje të rënda. I njohur si “i forti” i fisit Çapja në Elbasan, ai u arrestua më 14 qershor pas një operacioni të koduar “Krasta”, ku bashkë me të përfunduan në pranga dhe disa persona të tjerë.

Çapja akuzohet për një ngjarje të ndodhur 13 vite më parë, ku tentoi të vriste ish-shefin e Policisë Rrugore në Elbasan. Vetë 38-vjeçari nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërkohë që përmes avokatit, ka kërkuar që të hetohet jashtë qelisë së paraburgimit. Madje, për këtë gjë, ka ofruar dhe garanci pasurore.

Fadil Mema, ish shefi i Policisë Rrugore në Elbasan
Fadil Mema, ish shefi i Policisë Rrugore në Elbasan

Përveç kësaj, avokati Reshat Fana ka ngritur pretendimin se, prokurori i çështjes, Ritvan Sukaj, nuk i ka vënë në dispozicion të dhënat hetimore, duke bërë që seanca të shtyhet më 20 shtator. Ndaj Florenc Çapjas janë ngritur akuzat për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Rihapja e dosjes për ngjarjen e vitit 2006 ka ardhur pas fakteve të reja që kanë dalë në dritë nga mbajtja në përgjim e Florenc Çapjas. Sipas përgjimeve, 38-vjeçari është personi që tentoi të vrasë me armë zjarri ish-kreun e Policisë Rrugore në Elbasan, Fadil Mema. Kjo është hera e tretë që ai arrestohet për këtë ngjarje. Fillimisht, u arrestua një ditë pas plagosjes së Memës, por më pas u la i lirë për mungesë provash.

Më tej, katër muaj pas lirimit, u arrestua sërish, por përsëri për mungesë provash, gjykata e la të lirë. Atentati ndaj Memës erdhi si hakmarrje, pasi nipi i tij akuzohej nga fisi Çapja për ekzekutimin e Sokol Çapjas, xhaxhait të Florencit. Pas atentatit, familja Mema u largua në Itali, por në 13 mars të 2015, Fadil Mema u qëllua për vdekje në Torino, me 6 plumba pistolete. Në atë kohë, ngjarja ndodhi pranë banesës ku ai jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Konflikti i nisur në vitin 2005 mes Sokol Çapjas dhe Dritan Shemes vijon edhe pas më shumë se 14 vitesh, duke shkaktuar me dhjetëra viktima. Çapja dhe Sheme u përfshinë në një konflikt, që më pas solli vrasjen e Sokol Çapjas.

Florenc Çapja në atë kohë u kthye nga emigracioni për të marrë hak për xhaxhain e tij, duke i bërë atentat Fadil Memës. Ndërsa Dritan Sheme u vra po atë vit në Tiranë, ku qëndronte i fshehur. Përveç këtyre ngjarjeve ka pasur dhe persona të tjerë të ekzekutuar si shkak i sagës së hakmarrjeve. Ngjarja më e fundit është masakra e ndodhur në vitin 2016, ku ndaj disa pjesëtarëve të fisit Çapja pati atentat, duke lënë tre persona të vdekur dhe tetë të tjerë të plagosur.

PLAGOSJA E FADIL MEMËS

Në fillim të vitit 2006, u plagos me armë zjarri në këmbë Fadil Mema, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sokol Çapjas. Florenc Çapja, që në atë kohë u kthye nga emigracioni për të marrë pjesë në varrosjen e xhaxhait të tij, disa ditë më pas ka shkuar shumë pranë banesës së Memës, pranë Doganës së Elbasanit, dhe ka qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashnikovi. Plumbat e prekën Memën vetëm në këmbë.

Sherri mes miqsh që solli 9 të vrarë ndërmjet dy fiseve

Fisi Çapja është një nga më të përfolurat në Elbasan, sa i takon botës së krimit. Kjo për shkak se prej vitit 2005, pjesëtarë të tij akuzohen se kanë kryer disa vrasje për hakmarrje. Zanafilla ishte ekzekutimi i Sokol Çapjas në vitin 2005. Për këtë, Çapjat akuzuan Dritan Shemen dhe persona të tjerë të përfshirë.

Përfshirja e ish-shefit të Policisë Rrugore në këtë histori lidhet me faktin se Sheme është nipi i Fadil Memës. Ky i fundin u përpoq të kryente rolin e ndërmjetësin për shuarjen e konfliktit Çapaj-Sheme, por përshkallëzimi i sherrit në vrasje, solli dhe vrasjen e vetë Memës, 10 vite pas vrasjes së Sokol Çapjas. Fillimisht, në vitin 2006, u vra Ardian Ibrahimi, 34 vjeç, burri i motrës së Fadil Memës.

Po në atë vit, u ekzekutua në një lokal në Tiranë, Dritan Sheme, autori i dyshuar i vrasjes së Sokol Çapjas. Sheme kishte rreth tre muaj që qëndronte i fshehur në kryeqytet për të mos u identifikuar; flokët nga të zeza i kishte lyer me ngjyrë të verdhë. Ai u qëllua me breshëri automatiku në një lokal shumë pranë banesës ku strehohej. Më 2012 vritet Gentian Beqiri, pasi fisi Çapja e akuzonte si pjesëmarrës në vrasjen e Sokol Çapjas.

Beqiri ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Edhe pse ruhej me Polici, në momentin që forcat e Rendit po ndërronin turnin, një person e ekzekutoi në gjumë. Në mars 2015, u vra në Torino Fadil Mema.

Dy persona e qëlluan pranë banesës. Ndërsa në fillim të vitit 2016, pati atentat ndaj Çapjave, ku shënjestër ishte pikërisht Florenc Çapja. Të vrarë mbetën tre persona, mes të cilëve dhe Agron Çapja. Në qershor 2016, iu bë atentat sërish Florenc Çapjas, por sërish u shpëtoi plumbave./panorama.al

Related posts

Aksident i rëndë në Milot, gruaja përplaset për vdekje nga makina

Mila

Grabitja e blindave me para në Rinas/ Prokuroria kërkon 107 vite burg për bandën

Mila

Zv/ambasadori amerikan monitoron një KZAZ në Tiranë

Mila
Na Kontaktoni!