HomeLajmi i Fundit

Atentati ndaj prokurorit/ Automjeti i autorëve me targa të vjedhura

Makina e gjetur e braktisur pak ore pas atentatit në Durrës, ku mbetën të plagosur tre persona, do te kaloje sot ne “skanerin” e grupit hetimor.

Mjeti, tip “Mercedes Benz” është gjetur, i padjegur, e me dyer të hapura, rrugës për në Ishëm, afër varrezave, ndërsa brenda janë gjetur dy armë automatike.

Policia siguroi zonën, dhe duke qenë se ishte natë, këqyrja e mjetit sipas News 24 do të bëhet sot, nderkohe qe targat e tij rezultonin të vjedhura në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Shkozet, ku u qëllua në drejtim të prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj.

Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur tre persona, prokurori Ndoj, Aleksandër Laho, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, një person me precedentë penalë dhe Andi Maloku, shoferi i prokurorit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.