HomePolitikë

Audiopërgjimet e Bild, reagon Bindja Demokratike

Partia Bindja Demokratike ka reaguar pas publikimit të audiopërgjimeve të kreut të Bashkisë së Durrësit dhe Avdulajve, nga gazeta gjermane Bild.

Përmes një deklaratë për mediat, BD thekson se mekanizmi i ndodhur në zgjedhjet e shkuara mund të ripërsëritet, ndërsa shton se në vend të Dakos është në garë Valbona Sako, që sipas BD është shumë e afërt me të.

Reagimi i plotë:

Përgjimet e fundit të publikuara nga tabloidi gjerman “Bild” mbi fushatën e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, ngrejnë para nesh shqetësimin se mekanizmi korruptiv dhe kriminal për deformimin e votës, i përdorur në zgjedhjet e shkuara, është ende aktiv. Sepse në qendër të skandalit është kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ose hierarku më i lartë i Partisë Socialiste në gjithë qarkun. I cili, sipas të gjitha të dhënave tona, është edhe propozuesi i kandidaturave për kryetar bashkie në Durrës dhe në Shijak.

Fakti që në vend të Dakos është caktuar një grua shumë e afërt me të, nuk e bën aspak më të qetë dhe më normale garën për Bashkinë e Durrësit.

Ndërkohë, kandidati i Partisë Socialiste për Shijakun, Elton Arbana, është një ndër personazhet kryesore që kanë dalë në përgjimin e publikuar nga prestigjiozja gjermane, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi fushatën që do të zhvillohet në këtë qytet.

BINDJA DEMOKRATIKE paralajmëron qeverinë që të mbajë larg duart nga zgjedhjet e 30 Qershorit në qarkun e Durrësit dhe kudo tjetër në Shqipëri.

Ajo njëkohësisht fton partnerët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it që të rrisin vigjilencën dhe ta trajtojnë këtë qark si një zonë me rrisk të lartë manipulimi, që fillon nga shitblerja e votës e përfundon me aktivizimin e segmenteve të kriminalizuara të shoqërisë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.


TË NGJASHME