HomeLajme

Autoriteti i Konkurrencës rrit presionet ndaj qeverisë/Shtrenjtimi i biletave të avionit

Çmimet skandaloze të biletave ajrore rrisin çdo ditë e më shumë presionet ndaj qeverisë, së cilës i kërkohet të marrë situatën në dorë. Kështu, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar qeverisë që të rishikojë pagesat e shërbimeve të aeroportit të Rinasit çdo tre vjet, ashtu siç e sanksionon dhe kontrata e lidhur mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit. Në kërkesën e saj drejtuar qeverisë, AK thekson se ka vendosur t’i rekomandojë Këshillit të Ministrave që t’i kërkojë Organit Shtetëror të Autorizuar që në zbatim të pikës 19. 2, germa (a), të Kontratës se Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar në cilësinë e Organit Shtetëror të Autorizuar dhe në bashkëpunim me shoqërinë koncensionare të rishikojnë Pagesat për Shërbimet e Aeroportit siç parashikohet çdo tre vjet.

Çmimet e biletave ajrore në Tiranë mbeten më të shtrenjtat në rajon, ndërsa në Shkup, Podgoricë e Kosovë janë mesatarisht 50% më të lira sesa tek ne. Në sezonin e verës, çmimet e biletave janë shtrenjtuar ndjeshëm nga të gjitha destinacionet kryesore të shqiptarëve, si nga Italia, Londra, Gjermania etj, duke rritur kostot sidomos për emigrantët që duan të vijnë në Shqipëri, duke rezultuar mbi 200 euro për vetëm një drejtim. Monopoli i fluturimeve në Rinas është një nga faktorët kryesorë që mban çmime të shtrenjta, për shkak të taksave të larta aeroportuale. Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, deklaroi për vitin 2017 fitime prej rreth 21 milionë eurosh, me një normë fitimi prej 47%, duke e renditur atë ndër kompanitë më fitimprurëse në vend/pamfleti.net


TË NGJASHME