HomeSociale

Banorët e Astirit në protestë para Gjykatës së Apelit, flet Balliu

Të lidhur me zinxhirë dhe me izolant në gojë, banorët e Astirit janë mbledhur sot para Gjykatës së Apelit, e cila do të shqyrtojë ankimimin e 3 protestuesve të arrestuar, për të shqyrtuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Duke e cilësuar kështu një protestë të heshtur, banorët bëjnë thirrje që të lirohen 3 të arrestuarit, pasi sipas tyre janë qytetarë të ndershëm që kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për shembjen e banesave të tyre dhe kanë protestuar bashkë me shumë të tjerë.

Avokatët e 3 të arrestuarve, Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë, me argumentin se ata kanë konsumuar të njëjtën vepër penale, sikundër kanë qenë të pranishëm dhe shumë të tjerë që më pas janë lënë të lirë.

“Jemi të lidhur me zinxhirë si apel ndaj gjyqësorit. 10 protestuesit e parë që u arrestuan në fillim i liruan. Në komisariatin nr.6 kur u arrestuan policët thanë se ka dhënë urdhër Lleshaj që të arrestohen 10 persona. Besojmë se Apeli do t’i lërë të lirë. Sot lihen në arrest shtëpie ose detyrim paraqitje persona që kanë lidhje me krimin. Nëse nuk lirohen ne do të bllokojmë rrugën dhe do të protestojnë. Ata janë njerëz të pafajshëm dhe nuk mund të mbahen të arrestuar”, tha një nga banorët e Astirit.

Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama në lidhje me arrestimet e protestuesve të zonës së Astirit pak ditë më parë. Teksa ndodhej pranë Gjykatës së Apelit, për të mbështetur këta banorë, Balliu kërkoi lirimin e 3 qytetarëve të arrestuar, pasi sipas tij ishin pjesë e një tubimi paqësor dhe të ligjshëm

Mes të tjerash ai tha se një ndër arsyet e dështimit të negociatave me BE ishte dhe arrestimi i banorëve tek Unaza e Re pas protestave të tyre si dhe afera me projektin.

“Është e qartë dhe duhet të kuptojnë se këta banor nuk janë arrestuar as për konflikt me policinë, por kanë qenë në një protestë legjitime. Ajo ka qenë protestë e njoftuar dy herë. Ne kemi dhënë prova në gjykata se kur është njoftuar policia. Të vetmen gjë që bëhet në polici është të njoftosh. Arrestimi i tyre është flagrant. Në çdo tubim qytetarët kanë të drejtë të bllokojnë rrugën. Në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë. Arrestimi i tyre kalon logjikën. 13 persona, përfshi dhe unë, ne jemi jashtë, disa ende në burg. Ata banorë nuk po e mohojnë se kanë qenë pjesë e asaj protestë. Në atë protestë kanë qenë qindra persona. Ata mbahen për presion dhe dhunë. Arrestimet e tilla janë dhe arsye se pse nuk u hapën negociatat. Kur arrestohen këta banorë që nxorën lakuriq qeverinë për vjedhje, dhe nuk arrestohen përgjegjësit për projektin e aferës tek Unaza e Re. Janë arrestuar vetëm qytetarët e lirë dhe jo ata që abuzuan me projektin. Urrejtja personale ndaj Edi Ramës po i mban ata në burg. Me Ilir Katirajn ka urrejtje personale se e goditi me këpucë”, tha Balliu.


TË NGJASHME