HomeSociale

Prirjet për barazi gjinore deri më 2030

Melinda Gates, bashkëthemeluese e fondacionit “Bill and Melinda Gates”, tha se indeksi i publikuar, në lidhje me barazinë gjinore, do të duhej të shërbente si alarm për ta zgjuar botën.

Sipas indeksit për matje të përparimit në zbatimin e objektivave ndërkombëtare për barazi gjinore, asnjë shtet i botës nuk është në rrugë të mbarë për ta arritur këtë qëllim deri në vitin 2030.

Edhe shtetet skandinave, të cilat kanë rezultate më pozitive në këtë indeks, duhet të ndërmarrin masa të mëdha për t’i përmbushur zotimet për barazi gjinore sa i përket 17 objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. Ky dokument ishte nënshkruar në vitin 2015 nga 193 shtete. Këto qëllime vlerësohen si bazë për përpjekjet botërore për t’i dhënë fund varfërisë dhe pabarazisë.

Sipas indeksit për barazi gjinore, rreth 2.8 miliardë vajza dhe gra aktualisht jetojnë në shtete që nuk janë duke ndërmarrë masa të mjaftueshme për ta përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Shtetet që janë vlerësuar me 90 ose më shumë pikë cilësohen si vende me përparim të shkëlqyeshëm, ndërsa ato që kanë më pak se 59 pikë vlerësohen si shtete që kanë rezultate të dobëta në këtë aspekt. Mesatarja e pikëve të 129 shteteve të vlerësuara për barazinë gjinore ishte 65.7, duke lënë të kuptohet se në botë ka rezultate të dobëta të masave për barazi gjinore.

Mungesa e përfaqësimit në kuvende shtetërore, dallimi në paga në krahasim me meshkujt dhe dhuna gjinore ishin tri aspektet më kritike, në të cilat shumë shtete kanë shënuar rezultate të dobëta, shkruan “The Guardian”.


TË NGJASHME