Lajme Shëndeti Sociale

Barra e sëmundjeve te shqiptarët, më e larta në rajon. 3 arsyet kryesore

Barra totale e sëmundjes për meshkujt dhe femrat shqiptare është më e larta në rajonin e Europës Juglindore, raporton Ministria e Shëndetësisë në strategjinë kombëtare të shëndetit 2016-2020, ndërkohë që sëmundjet infektive në Shqipëri kapin një përqindje të lartë të barrës së përgjithshme të sëmundjeve, barra e sëmundjeve të patransmetueshme (NCDs) në Shqipëri është rritur me 34% nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm si për burrat dhe për gratë. Sëmundjet kardiovaskulare përbënin rreth 55% të të gjitha vdekjeve (51% te meshkujt dhe 61% te femrat) analizoi Ministria e Shëndetësisë. Nga ana tjetër, aksidentet rrugore ngelen një vrasës i madh në Shqipëri, për sa u përket shkaqeve të jashtme të vdekjes. Në lidhje me shëndetin e fëmijëve, Shqipëria ende përballet me barrën dyfishtë të kequshqyerjes dhe mbipeshës, ndërkohë që mungesa e rritjes është në rënie. Të gjithë indikatorët e mësipërm flasin për nevojën për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare në krahasim me mesataren europiane.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë mbi ndikimin e faktorëve të rrezikut të sëmundshmërisë në Shqipëri identifikojnë tre faktorë të rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë:

i) rreziqet e lidhura me dietën ushqimore;

ii) hipertensioni arterial;

iii) duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur rritje domethënëse në barrën e sëmundshmërisë, që u atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri. Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë. Në dy dekadat e fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Në vitin 2010, duhanpirja ishte shkaktare e 22% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri.

Megjithatë ka evidenca në rritje se shëndeti dhe mirëqenia nuk janë të lidhura vetëm me performancën e sistemit shëndetësor. Ka faktorë të tjerë socialë të lidhur me të ardhurat, arsimimin, strehimin dhe mjedisin që kanë ndikim të fortë në shëndet dhe mirëqenie që kërkojnë përqasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë sektorët e qeverisë, si dhe aktorëve të tjerë në shoqëri.

Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale, si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale, dhe në afatgjatë kontribuojnë në përmmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare.

Vlerësimet e studimit PISA (2012), tregojnë se produktet dhe cilësia e shkollës shqiptare (rezultatet e nxënësve në matematikë, lexim dhe shkenca; përfshirja në shkollë dhe shkalla e kënaqësisë nga shkolla; motivimi për të arritur rezultate sa më të mira etj.) janë më të ulëtat në rajon. Sipas këtyre vlerësimeve, Shqipëria është rreth një vit shkollor mbrapa vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Serbia dhe rreth dy vjet e gjysmë shkollorë pas mesatares së OECD-së”.

Mjedisi është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë shëndetin dhe mirëqenien e çdokujt. Evidencat globale dhe rajonale tregojnë që përcaktorët mjedisore (së bashku me faktorët e stilit të jetës: cilësia e ujit dhe e ajrit, rrezatimet, shëndeti në punë dhe aktiviteti fizik) kanë ndikim të qenësishëm në shëndetin e popullatës. Monitor

Related posts

Kosovë, reagojnë zyrtarët ndaj sulmit të gruas rome

Klaudia gotanews

Ambasada amerikane njoftim të rëndësishëm për fituesit e Lotarisë

Xhensila Gotanews

Dalin emrat, kush janë 5 personat e plagosur në Fier

Mila
Na Kontaktoni!