HomeSociale

Basha flet për opozitën që do të donte në Parlament

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se është verbëri kriminale t’i kërkosh opozitës që ulet dhe të bëjë ligje dhe diskutime parlamentare me emra deputetësh që sipas tij, kanë lidhje kriminale.

Unë do të kisha dashur shumë që në opozitë të isha marrë me politikat publike, të isha marrë me programe dhe ligje, por kjo ka qenë e pamundur përballë krimit dhe drogës. Sa herë që ne jemi përpjekur për të dhënë alternativë qeverisëse, skandalet e drogës dhe të krimit na kanë detyruar të çojmë vëmendjen tek krimi dhe droga.

Unë do të kisha dashur shumë që jeta parlamentare e jona të ishte perëndimore, që ne të diskutojmë në Kuvend ide, ligje, vendime që ndihmojnë ekonominë dhe njerëzit.

Por është tallje dhe verbëri kriminale t’i kërkosh opozitës që të ulet dhe të bëjë ligje dhe diskutime parlamentare me Armando Prengën, Arben Ndokën, Mark Frrokun, Pjerin Ndreun, Ergys Çyrben, Rrahman Rrajen, Ilir Ndraxhin e shumë banditë apo eksponentë të krimit në Kuvend dhe majat e politikës socialiste.

Me Rrahman Rrajen nuk flitet për ligje. Me Saimir Tahirin nuk flitet për rendin publik. Me Elvis Roshin e Vangjush Dakon nuk flitet për planet e zhvillimit urban. Me Fatmir Xhafajan nuk flitet për drejtësi dhe të drejta të njeriut”, tha Basha.

Lideri demokrat tha se sytë e botës janë drejtuar nga opozita, ndërsa pastrimi i sistemit politik është shpresa e vetme.

“Sytë e botës janë drejtuar nga ne, për të parë sesi ne si vend, si popull i bashkuar rreth vlerave do ta zgjidhim këtë krizë. Pastrimi i sistemit tonë politik dhe largimi njëherë e mirë i drejtimit kriminal të qeverisjes është shpresa dhe rruga e sigurt për një Shqipëri që i takon të gjithë qytetarëve të saj, për Shqipërinë e gjithë shqiptareve. Jo për Shqipërinë që duan një grusht hajdutesh dhe kriminelesh qe kane kapur pushtetin me krimin. Ne e bëjmë këtë beteje për standardet evropiane, një vend të vlerave dhe mirëqenies për të gjithë”, tha ai.


TË NGJASHME