HomePolitikë

Basha flet për sistemin zgjedhor

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se sistemi se si shqiptarët zgjedhin ka vend për përmirësime të dukshme.

Në studion e “Kjo Javë”, Basha u shpreh se me rëndësi për vendin është zgjidhja e problemit të kapjes së politikës nga krimi dhe se pa zgjidhur këtë, , çdo sistem që të zgjedhim do të nxjerrë në të njëjtin përfundim.

Çfarëdo sistemi të zgjedhim, ne, pa zgjidhur problemin e kapjes se politikës nga krimi, pa e ndarë shtetin nga krimi, pa e ndarë shtetin nga partia në pushtet, çdo sistem që të zgjedhim do të nxjerrë në të njëjtin përfundim” u shpreh Basha.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Aleatët dhe partite e vogla kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Çfarë pozicioni ka Partia Demokratike lidhur me këtë? Asnjëherë nuk artikulohet qartë, të shtrohet pozicioni i PD për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë, une kam shprehur qartë qëndrimet e mia për këtë. Unë besoj se sistemi se si shqiptarët zgjedhin pushtetin qëndror dhe pushtetin vendor ka vend për përmirësime të dukshme. Personalisht besoj se në këtë fazë të demokracisë shqiptare kemi nevojë për një dhomë të dytë, për nje senat, një reduktim te numrit te deputetëve në dhomën deputetëve dhe një një senat, i cili të luajë rolin e nje hapi tjetër kontrolli dhe balance pushteti. Për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit, për të kufizuar cirkun e shëmtuar që shpesh shohim në Parlament, ku legjislacioni kalon brenda natës për të favorizuar faktorë ekonomikë, oligarkë apo edhe banda kriminale me aministi. Unë besoj se qytetarët kanë te drejtë të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, personalisht kam parashtruar disa herë idenë e një sistemi maxhoritar, qoftë edhe një sistemi kombëtar proporcional. Po kështu besoj se pushteti vendor ka rënë viktimë e një reforme pseudo– reforme, e cila nuk kishte për qëllim përmirësimin dhe shërbimin ndaj qytetarëve, por përqëndrimin e pushtetit në duart e partisë në pushtet dhe unë besoj se ka ardhur koha t’i rikthehemi reformës administrative por mbi të gjitha ligjit për decentralizimin, për t’i çuar më shumë pushtet dhe kompetenca bashkive qe t’i shërbejnë më mirë qytetarëve. Une jam i hapur për të gjitha këto, por mbi te gjitha dua te theksoj dy gjëra; e para, çfarëdo sistemi të zgjedhim, ne, pa zgjidhur problemin e kapjes se politikës nga krimi, pa e ndarë shtetin nga krimi, pa e ndarë shtetin nga partia në pushtet, çdo sistem që të zgjedhim do të nxjerrë në të njëjtin përfundim. Kishim maxhoritar me korreksion proporcional erdhëm tek proporcionali rajonal, por problemi i kriminalitetit erdhi duke u shtuar, ndonëse një nga argumentet kryesore për të ndryshuar sistemin ishte për të kufizuar futjen e personave me preçedentë penalë në Kuvend, që do të thotë se nuk është sistemi as shkaku dhe as zgjidhja. Shkaku është bashkëpunimi i politikës me krimin zgjidhja është ndarja e politikës nga krimi. Kemi hedhur një hap të rëndëishëm që ështe ligji per dekriminalizimin, kemi disa hapa të tjerë për të hedhur që janë fare qartë të pershkruara në 9 kushtet e Bundestagut dhe çfarëdo proçesi për rregullat e lojës, për Kodin Zgjedhor, për Kodin Penal, për vetingun e politikanëve, për lirinë e medias, ligji për mediat audiovizuale, për financimin e partive politike, për demokracinë brenda partive politike, nuk mund të jetë produkt i dhomave të errëta. Proçesi ka shumë rëndësi. Duhet të jete transparent, gjithpërfshirës, kam parasysh jo vetëm partite politike të opozitës, por të gjithë faktorët shoqërorë. Demokracia i takon çdo qyetari i takon edhe punëdhenësit, edhe punëmarrësit, edhe pensionistit edhe studentit, edhe vogëlushit që nuk ka akoma te drejtën e votës, por cilësia e arsimit që ka që nga kopshti deri në klasën e 9 apo deri në fund të shkollës së mesme, përcaktohet nga vendimet që marrin institucionet e zgjedhura me votë nga prindërit e tyre. Prandaj, duhet të jetë një proces i hapur, transparent publik. Unë besoj fuqimisht, se përtej vendimarrjes me zgjedhj, ku zgjidhet parlamenti, ku zgjidhen bashkitë, qytetarëve duhet t’u jepet mundësia reale, jo teorike, por relae për referendume kombëtare dhe referendume lokale për çështje që kanë të bëjnë me interesat e drejtpërdrejta të komunitetit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha foli edhe për zgjedhjet në Kosovë, tha se duhet vullnet për të ecur përpara dhe se qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kandidatin që vë ata përpara e jo pushtetin.

Pyetje: Z. Basha ne po arrijmë drejt fundit të intervistës. Nesër janë zgjedhjet në Kosovë, a keni ju një preferencë?

Lulzim Basha: Unë ju uroj qytetarëve të Kosovës që nesër të kenë një festë të demokracisë, të zgjedhin alternativën më të mirë, të votojnë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, të votojnë për Kosovën e vlerave euroiane, për Kosovën që lufton krimin dhe korrupsionin, për Kosovën e shpresave dhe qëllimeve të brezit të ri, të të rinjve dhe të rejave të Kosovës që janë burim frymëzimi dhe janë edhe burimi i energjisë për një Kosovë europiane, krah për krah një Shqipërie europiane në mënyrë që të lëmë pas periudhën e ngarkuar me kriza, të ngarkuar me korrupsion, të ngarkuar me humbje shprese. Të rikthejmë shpresën sepse nuk na mungon asgjë. Na ka munguar vetëm vullneti për të ecur përpara, na ka munguar vullneti për të vendosur qytetarët tanë të parët. Jam i bindur se qytetarët e Kosovës nesër do të vijnë të zgjedhin për ata që i vënë qytetarët e Kosovës të parët dhe jo vetën e tyre apo pushtetin e tyre.

Pyetje: Ju vetë keni një preferencë?

Lulzim Basha: Padyshim që po, por edhe më shumë nga pozitat e kryetarit të Partisë Demokratike nuk mund ta shpreh, as dëshiroj ta shpreh, sepse kjo do të përbënte një ndikim në procesin elektoral në Kosovë. Dhe unë besoj se i takon qytetarëve të Kosovës që të vendosin me votën e tyre të cilën PD dhe unë personalisht e respektoj, siç e kam respektuar gjithmonë.


TË NGJASHME