HomePolitikë

Basha flet për zgjidhjen e krizës: Mbaron vetëm me politikanë me pranga në duar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje se kriza politike do të marrë fund kur politikanët të dalin me pranga në duar.

Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike në qytetin e Cërrikut, Basha theksoi se dalja nga kriza nuk mund të ndodhë me marrëveshje, por përmes parimeve.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë, çdokush që kapet me këto krime, shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve”, u shpreh Basha gjatë takimit. Këtë herë kreu i PD-së duket se vendosi një “kusht” që kriza të zgjidhjet në mënyrë të përhershme, ku politikanët të kapur në afera korruptive t’u vendosen prangat në duar.

“Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar”, tha lideri i opozitës, Lulzim Basha. Më herët, gjatë takimeve të tjera me strukturat dhe anëtarët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur i sigurt që vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe Edi Rama nuk do të jetë më Kryeministër i shqiptarëve. Këtë bindje kryedemokrati e bazon në refuzimin që shqiptarët shprehën në 30 qershor, por edhe nga çdo paligjshmëri që shoqëroi procesin e zgjedhjeve vendore.

“30 qershori provoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor. Kërkesat tona janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje legjitime vendore, të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore dhe çuarja para drejtësisë e gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Procesi i 30 qershorit ishte i pavlefshëm dhe kriminal dhe kjo u konstatua edhe nga raporti i OSBE-ODIHR-it: Procesi i votimit pa dekret. Mohimi i të drejtës së opozitës për të pasur përfaqësuesit në proces. Votimi me 1 kandidat dhe regjistrimi i patericave të pushtetit në mënyrë të paligjshme. Largimi i Edi Ramës si Kryeministër është i padiskutueshëm. Hetimi dhe gjykimi i politikanëve të kapur duke vjedhur votat është i padiskutueshëm. Prandaj, ne i qëndrojmë deri në fund zgjidhjes politike përmes parimeve dhe jo pazarit. Edi Rama kërkon pazar. Gjithë jeta e tij politike është pazar. Kur nuk ka pazar, shpërfytyrohet, çmendet”, deklaroi Basha./panorama.al


TË NGJASHME