HomePolitikë

Basha inspektim në Manzë, thirrje qeverisë për t’u ardhur në ndihmë banorëve

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, vazhdon inspektimin në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryedemokrati vizitoi ditën e sotme zonën e Manzës, ku 5 pallate me nga 25 familje janë të pabanueshëm.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha i bën thirrje qeverisë të marri masa urgjente për të gjetur një zgjidhje për të gjitha këto familje.

Moti i ftohtë është një tjetër faktor, që po rëndon gjendjen, ndërsa banorët shprehen se në ndihmë i kanë ardhur vetëm shoqatat dhe denoncojnë abuzime në mënyrën e trajtimit të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Gjendja po rëndohet për shkak të motit. URGJENTE marrja e masave për strehim dhe alokimi i fondeve për rindërtim.

5 pallate me nga 25 familje në Manzë janë të pabanueshme. Banorët po nxjerrin orenditë për tu zhvendosur tek të afërmit në pamundësi të një strehe. Të tjerë që janë strehuar në çadra janë në kushte shumë të vështira edhe për shkak të motit me shi dhe të ftohtit. Ata thonë që u kanë ardhur në ndihmë vetëm shoqatat ndërsa denoncojnë abuzime në mënyrën e trajtimit të qytetarëve.

Çdo ditë që kalon, bëhet më e vështirë për këta banorë që me fëmijë të vegjël prej ditësh jetojnë në çadra. Të tjerë jetojnë në makina dhe ankohen se askush nuk ka ardhur të vlerësojë gjendjen e banesave të tyre.

Është e domosdoshme të angazhohen sa më shumë inxhinierë e specialistë. 500 inxhinierë janë të gatshëm të kontribuojnë vullnetarisht, mjafton që qeveria ti angazhojë.

Paratë që shkojnë tek 10 oligarkë duhet të shkojnë tek mijëra qytetarë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pa strehë dhe pa ushqim. Me 150 milion dollarë që marrin 10 oligarkë mund të rindërtohet pjesa dërrmuese e objekteve të banimit të shkatërruar nga tërmeti.

Duhet ndërhyrje e menjëhershme që të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e mijëra familjeve.


TË NGJASHME