HomePolitikë

Basha komenton vendimin e qeverisë për dëmshpërblimin me 2 mln lekë

Kryedemokrati Lulzim Basha e ka cilësuar pamjaftueshëm dëmshpërblimin me 2 milionë lekë për familjet e prekura nga tërmeti në zonat rurale për ngritjen e banesave të tyre.

Basha ka qenë në Durrës ku ka parë nga afër situatën 11 ditë pas tërmetit dhe ka përmendur sërish planin me tre pika dhe një nga kërkesat për anulimin e 150 mln dollarëve për 10 oligarkë.

“Siç e shikoni është një lagje tërësisht e braktisur, sepse të gjitha pallatet kanë pësuar dëme të rënda. Të gjitha familjet janë detyruar të largohen. Në pjesë prej tyre janë sistemuar, një pjesë prej tyre po më thonë që nuk janë sistemuar, gjendja vazhdon të mbetet e rëndë, vlerësimi i banesave është vetëm paraprak, ndaj thirrja ime është të përshpejtohet proçesi i vlerësimit përfundimtar, në mënyrë që banorët të kenë siguri se çfarë do të bëjnë nesër dhe të merren masa financiare, siç e kemi sygjeruar në planinj tonë tre pikësh duke alokuar të gjithë shumën e parashikuar në buxhetin e vitit 2020 prej 150 milionë dollarësh për 10 oligarkët, për banorët e prekur nga tërmeti”, deklaroi Basha.

I pyetur për vendimin e qeverisë që në zonat rurale të shpërndahej një fond për familjet e prekura Basha tha: “Është një propozim që e kemi dhënë prej disa ditësh sepse përshpejton mundësinë e banorëve për të trajtuar vetë dëmet dhe problemet që ka shkaktuar tërmeti.
Natyrisht që duhet bërë vlerësimi i dëmit. Shuma që është caktuar prej 2 milionë lekësh të reja, mund të jetë një shumë minimale, në disa raste mund të ketë nevojë për shumë edhe më të mëdha, prandaj është e domosdoshme tani, në përputhje me pushtetet që jep akti i fatkeqësive natyrore, që qeveria të caktojë një buxhet të qartë”.

“Prandaj insistojmë, -theksoi kreu i PD- për zhvendosjen e menjëhershme të 150 milionë dollarëve të 10 oligarkëve në funksion të emergjencës dhe procesit të riparimit apo ndërtimit të banesave të dëmtuara. Është një hap i parë që kanë pranuar këtë sugjerim që në fakt e kam dhënë nga terreni, kryesisht nga zonat rurale, por është i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me fondet e nevojshme dhe nëse nuk veprohet shpejt”.

Sipas kreut të PD, nuk është koha as për fjalë, as për shfaqje, as për zvarritje, por është koha për të vepruar menjëherë nga vendime në zbatimin e këtyre vendimeve.


TË NGJASHME