HomePolitikë

Basha nga Korça flet për paratë e konçesioneve/ I përgjigjet akuzave për vilë

Lulzim-Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë sot në Korçë, në një takim me të rinjtë në kuadër të nismës së re “Rrugëtim për Shqipërinë”.

Në takimin e dytë me studentët, Basha tha se rruga e Shqipërisë për në Europë ka 5 vite që është mbyllur dhe kjo tregohet që nga dështimi i hapjes së negociatave dhe nga emigrimi masiv i të rinjve.

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa nuk është një slogan, por një punë e jashtëzakonshme. E kemi nisur këtë punë prej 30 vitesh, pot 5 vjet që kjo rrugë është bllokuar. Dështimi me negociatat është dështim personal i Ramës. Vetëm vitin e kaluar kanë ikur në emigracion 38 mijë të rinj. Modeli që po na qeveris është modeli i gabuar”, tha Basha.

Në lidhje me arsimin kreu i opozitës tha se mundësitë për të investuar janë por nuk ka vullnet nga ana e qeverisë. “120 milionë euro jepen për konçesione për 12 veta dhe nuk sjellin asnjë dobi, ndërsa do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë ndryshim në arsim” deklaroi Basha.

Do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë një revolucion total për universitetet dhe arsimin e lartë. Me vetëm 35 milionë euro do të mund të financonim tarifat për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Të njëjtën shumë ne do të dedikojmë për infrastrukturën, dixhitalizimin, trajnimin e pedagogëve, sjelljen e pedagogëve të huaj, trajnimin profesional sipas modelit gjerman – gjysma e kohës në fakultet, gjysma në praktikë. Në planin tonë, për 10 mijë më të mirët, ne do të paguajmë stazhin për 1 vit. Ja ku do t’i çoja unë dhe qeveria ime këto para sot dhe ja ku i çon kjo qeveri. 120 milionë euro i marrin 6-7 njerëz, që janë vjedhje të pastra”

Ai nënvizoi se “zotimi i PD-së është të kthejmë shpresën dhe të nderojmë këtu në Shqipëri të ardhmen tonë”.

Gjatë fjalës së tij Basha përmendi dhe ngjarjen e fundit në lidhje me lajmin e arrestimit të Redjan Rrajas. Ai tha se ky person është i lidhur me bandat e pushtetit.

“E gjitha është luftë bandash, bandat në pushtet që luftojnë me njëra-tjetrën për të grabitur më shumë. Natyrisht ky është një lajm i rëndë, i cili nuk i bën aspak mirë gjendjes së vendit që është një gjendje e depresuar, depresioni psikologjik, social, mbi të gjitha ekonomik”, deklaroi kreu i PD.

Në përfundim të takimit me të rinjtë në Korçë, kreu i opozitës Lulzim Basha është pyetur nga mediat në lidhje me lajmin dhe akuzat se ka përfituar një vilë ku është zhvendosur së fundmi. Ai tha se kjo është një gënjeshtër dhe përpjekje cinike e kryeministrit Rama për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga skandalet e qeverisë.

“Nuk ka gënjeshtër që mund të më heqë nga detyra ime. Gënjeshtrat kundër meje dhe familjes time janë një përpjekje cinike e Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga lista e gjatë e dështimeve dhe e skandaleve të tij. Prandaj, nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Por siç e shikoni, jam në një tur takimesh me rininë, me qytetarët për të diskutuar të vërtetën e hidhur jo gënjeshtrat e qeverisë dhe mbi të gjitha për të diskutuar rrugët e daljes, zgjidhjes nga kjo krizë”, deklaroi Basha.

Teksa u pyet për arrestimin e Redjan Rrajas, Basha ripërsëriti se kjo është një luftë bandash të lidhura me qeverinë dhe që tregon nevojën për zgjedhjet të parakohshme.

“Nevojë akute për ndryshim përmes zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Kjo do arrihet duke bashkuar gjithë vullnetet pozitive të shqiptarëve. Nuk ka ndryshim pozitiv që mund ta ndalë asnjë qeveri dhe asnjë bashkëpunim mes qeverisë dhe krimit”, deklaroi kreu i PD


TË NGJASHME