HomePolitikë

Basha paralajmëron qeverinë: Qytetarët do marrin institucionet në duart e tyre

Kryedemokrati Lulzim Basha lëshoi akuza të rënda drejt qeverisë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, ndërsa paralajmëron se qytetarët do të marrin në duar institucionet. A po shkon opozita drejt mosbindjes civile dhe planeve për rrëzimin e qeverisë pas 16 shkurtit?

8 ditë para protestës së 16 shkurtit që po organizohet nga opozita, kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëron qeverinë se qytetarët do të marrin në duar institucionet, pasi nga kjo qeveri e lidhur me krimin nuk mund të pritet më asgjë. E vetmja zgjidhje sipas tij mbetet krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

“Thirrini arsyes, përndryshe nuk do t’iu lini asnjë rrugë tjetër qytetarëve, përveçse të marrin fatin e tyre në duart e tyre, të marrin institucionet e tyre në duart e tyre, se në dorë të krimit, oligarkëve dhe hajdutëve nuk kanë për të qëndruar më, çfarëdo që të bëni e të thoni”.

Kjo qe deklarata e fortë e Bashës ditën e djeshme në sallën e Parlamentit. Opozita është e bindur për një protestë të madhe, ndërsa ende nuk ka një strategji të saktë se në çfarë forme do të “tronditë” qeverisjen, por gjithçka varet si nga masiviteti ashtu edhe vijimi i reagimit, që po diskutohet edhe mosbindja civile. Për momentin është përjashtuar demonstrimi i dhunshëm, kjo e përforcuar nga deklaratat e pak ditëve më parë të Bashës kur u shpreh se “PD-ja nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma, por përmes zgjedhjeve”. Përplasjet politike mes mazhorancës dhe opozitës ditët e fundit janë intensifikuar edhe më shumë, duke kulmuar të hënën e kaluar me fjalorin e rëndë të përdorur nga kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Jo më larg përplasjeve qëndron edhe LSI si në sallën e Parlamentit ashtu edhe në daljet publike në konferenca shtypi.

Gjithçka duket se për opozitën shkon në shërbim të protestës që “provën gjenerale” e ka më 16 shkurt. Më shumë se për të lëkundur qeverinë, për të kuptuar mbështetjen poshtë në elektorat. Shpresat e opozitës janë rritur edhe më shumë për zgjedhje të parakohshme, duke parë situatën ekonomike, skandalet dhe aferat korruptive të publikuara muajt e fundit.


TË NGJASHME