HomePolitikë

Basha prezanton 10 detyrat e Qeverisë tranzitore

Basha ka mbledhur sot opozitën e bashkuar, ku sikundër ka deklaruar një ditë më parë, do të bëjë sot prezantimin e platformës për Zgjedhje të Lira e të Ndershme.

Në këtë takim janë krerët e partive aleate të PD.

“Do prezantoj 10 detyrat kryesore që qeveria tranzitore do të ketë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, që do vetëm vullnet politik, që kryeministri i qeverisë tranzitore dhe ministrat të jenë jashtë konfliktit të interesit”, u shpreh Basha.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Jemi sot në një paralizë totale të drejtësisë, që sot si kurrë më parë në ndonjë vend të botës ndodhet në kushtet e mungesës së Kushtetueses, asgjësimit të Gjykatës së Lartë, të kapjes së Prokurorisë së Përgjithshme. Për herë të parë shënohen afera që për nga shumat marramendëse. Numri i shqiptarëve të larguar nga vendi në 5 vite të arrijë përmasa të papara që nga fillimi i viteve 90. Kolapsi i ekonomisë ka sjellë shkatërrimin e mijërave vend të punës, nivele mjerimi si në vende të Afrikës, një në 10 shqiptar ushqehen një herë në ditë, shëndetësia dhe arsimi gjenden në krizën më të thellë.

Ka dy arsye, kjo qeveri dhe pseudomaxhorancë nuk ka ardhur si produkt i votës së lirë dhe nuk janë përgjegjës para qytetarëve por si bashkëpunim i krimit të organizuar dhe shitblerjes së votës me paratë e krimit dhe drogës.

Ndryshe nga sistemi më i thjeshtë demokratik, nuk ka më asnjë kontroll të pushtetit, të gjitha janë në një dorë, parlamenti ilegjitim kontrollohet nga qeveria ilegjitime.


Jemi sot në kolaps total se vendi nuk ka as parlament e as qeveri legjitime dhe pasojat bien mbi shqiptarët e pafajshëm. Cdo skandal do të mjaftonin që qeveria të kishte rënë në cdo vend evropian, që kafazi i të pandehurve të ishte plot me jakat e bardha të kabinetit, në një mega proces që në rastin e unazës duhet të shihte pas hekurave nga ministri te nëpunësi që nënshkroi kontratën me një kompani fantazmë. Por nuk ndodh sa kohë që vota e lirë është asgjësuar, ka sjellë kapjen e drejtësisë, nivele të papunësisë, mjerimit, varfërisë dhe papërgjegjshmërisë totale që shteti e ka për detyrë tu japë shqiptarëve.

Nuk ka të bëjë me reformat e thella politike, por detyrat e qeverisë tranzitore për ti dhënë fund disa praktikave të tmerrshme korruptive që kanë shkatërruar votën e shqiptarëve, në eksperimentin që i hapi rrugë 2017, në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës.

Do prezantoj 10 detyrat kryesore që qeveria tranzitore do të ketë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, që do vetëm vullnet politik, që kryeministri i qeverisë tranzitore dhe ministrat të jenë jashtë konfliktit të interesit.

Qeveria tranzitore do të ketë këto detyra:

  1. Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
  2. Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
  3. Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.
  4. Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
  5. Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
  6. Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të  letërnjoftimeve.
  1. Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
  2. Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
  3. Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
  4. Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.


TË NGJASHME