HomePolitikë

Basha shpalos prioritetet e PD-së për ekonominë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Shoqatës ‘Mikrofinanca Shqiptare’, ku theksoi se fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja dhe mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i PD-së.

Basha tha se për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, çka ka sjellë që të mbyllen vendet e punës.


MESAZHI I BASHËS
Fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë dhe punësimi i tyre, mbështetja e bujqësisë, janë prioritet i imi dhe i Partisë Demokratike.
Gjatë takimit me drejtuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, znj. Arlinda Muja Presidente dhe znj. Brunilda Isaj Sekretare e Përgjithshme, diskutuam ndër të tjera dhe për vështirësitë që po kalon ekonomia dhe financat shqiptare, të rënduara dhe më shumë nga pandemia. Gjatë takimit i falenderova për zbatimin e moratoriumit e cila ndihmon kredimarrësit në këtë situatë të vështirë.
Ndamë shqetësimin për mungesën e likuiditetit, krizën ekonomike për tejkalimin e së cilës nëse nuk veprohet shpejt do të vërë në pozitë të vështirë sistemin bankar dhe veçanërisht institucionet e mikrokreditit, pasi do të rritet pamundësia e qytetarëve dhe bizneseve për t’i shlyer kreditë.
Vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit. Deri më sot janë 175.000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.
Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, është bërë tejet i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.
Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike.
Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME